Home KRYESORE Nga cikli ‘Kafe për llafe’

Nga cikli ‘Kafe për llafe’

Nga Çapajev Gjokutaj

Në fillim dëgjuam për të vdekur që vazhdonin të votonin. Shqiptarët janë qytetarë të fortë, qeshte Ilmiu, edhe nga varri ngrihen kur i thërret detira😜

Pastaj dëgjuam për të tjerë që vazhdonin të merrnin pensionin vite pasi kishin vdekur. Paraja forcë e madhe, përqeshte Qaniu, kapitalizëm safi, pëpara për pará.

Tani, pas tërmetit dëgjojmë për inxhinierë që bëjnë projekte e i dorëzojnë në zyrat e hipotekës, paçka se kanë vdekur vite më parë. Këtij i them shtet unë, shkeli syrin Lilua, punëson të gjallë e të vdekur.

Jo vetëm aq, ia priti Naqja, është rritur goxha cilësia: nga pleqtë që votojnë nga varri tek inxhinierët e vdekur që bëjnë projekte. Me këto ritme kushedi sa larg do vemi😜

S’e gjen dot njeriu ku mbaron njera botë e ku fillon tjetra, thashë unë.

Dhe në një cep të kujtesës më feksën vargjet e baladës ‘Keni parë a s’keni parë?/Shkon një kalë bishtbardhë,/ i vdekuri me të gjallë…’

Pastaj, si për dreq, m’u kujtuan studjuesët që thonë se shpirtra të vdekur nuk janë emrat e bujkrobërve qe blen Çiçikovi, por të gjallët që parodizon Gogoli.

‘Të dekur e të pakallur, kutërbim!’, m’u bë se dëgjova zerin qesëndisës të gjyshes, paçka se po bëhet gati gjysëm shekulli që na ka lënë…

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: