Home KRYESORE Njerëzve u pëlqen (jo rrallëherë) më shumë të gënjehen se të dëgjojnë...

Njerëzve u pëlqen (jo rrallëherë) më shumë të gënjehen se të dëgjojnë të vërtetën!

Nga Artur Nura

Dikush ka thënë se njerëzit përgjithësisht preken ndërsa lexojnë, dëgjojnë apo shikojnë një ngjarje “fiction” të krijuar artistikisht apo me mjeshtëri dhe janë indiferentë ndaj dramës së jetës të fqinjëve që kanë shumë pranë tyre.

Gjithmonë më ka preokupuar të kuptoj se cili është shkaku i vërtetë i cili bën të mundur që një thënie e tillë të jetë domethënëse për më të shumtën e rasteve në shoqërinë tonë socio-kulturore.

Personalisht, gjykoj se me ne, kjo dukuri shkon më thellë dhe ndodh që njerëzve t’u pëlqejë (jo rrallëherë) më shumë të gënjehen se të dëgjojnë të vërtetën. Të paktën kur kjo e fundit është e hidhur, një gjë e tillë është pothuaj absolute.

Sigurisht, në raportet e jetës politike me njerëzit (elektoratin) kjo dukuri është krejt e vërtetë dhe shumëdimensionale, por besoj që edhe në shumë marrëdhënie private midis individëve.

Gjykoj se kjo dukuri ka më shumë nevojë të analizohet si ndodh në raportet e politikanëve me militantët, politikanët me opinionistët dhe në fund, nëpërmjet këtyre të fundit, po politikanët me publikun e gjerë.

Publiku i gjerë krijon përshtypje për politikën kryesisht nëpërmjet asaj që percepton nga opinionbërësit, të cilët përgjithësisht ankohen me reagimin e vetë publikut ndaj politikës dhe asaj që vetë këta transmetojnë tek opinioni i gjerë për të.

Shumë pak prej tyre kërkojnë të gjejnë arsyet më të mundshme të kësaj panorame të ndërlikuar. Akoma më pak prej tyre tentojnë të gjejnë rrugët e duhura për të komunikuar më mirë me publikun e gjerë, i cili pa dyshim që ka një formim socio-kulturor tjetër nga i tyre…

Njëra nga rrugët e komunikimit me publikun

Të gjithë parimisht gjykojmë se politika nuk është në standardin që duam ose parimisht në nivelin dhe formatin e vendeve evropiane dhe të NATO-s ku jemi duke u bërë pjesë. Në fakt, të gjithë ata që shprehen për këtë standard të paarritur, i përkasin një niveli më të formuar kulturalisht të shoqërisë.

Sigurisht, kur themi opinionbërja, bëhet fjalë për pjesën më të vogël të shoqërisë sonë, e cila (për fat të keq) ndoshta edhe nuk shkon në kutitë e votimit. Kjo na bën të kuptojmë se kështu harrohet se politika konfirmohet zyrtarisht, aty ku është dhe me ata që përfaqësohet në pushtetin më të lartë të legjislativit, vetëm nëpërmjet votës së shumicës me të cilën opinionbërja komunikon modestisht ose shumë pak.

Po, duhet thënë gjithashtu se falë televizioneve dhe formateve “talk-show” të ekranit të vogël ky dimension i munguar komunikimi është më i realizuar si nga ballafaqimi i vetë opinionistëve me njëri-tjetrin, ashtu edhe i këtyre vetë me protagonistët e politikës që ka bërë të mundur që dialogu i të dyja kategorive të rezultojë më i ndjekur nga publiku i gjerë.

Të nesërmen e këtyre programeve, sipas një verifikimi që kam mundur të bëj personalisht, rezulton që çfarë thuhet në këto debate televizive, transferohet nëpër kafenetë e shumta sipas perceptimit të gjithsecilit.

Po sipas mendimit tim personal, rezulton që perceptimi i shumicës së njerëzve është ndryshe nga ai që duan të transmetojnë opinionbërësit tek ata. Shumica, për fat të keq, paragjykon dhe percepton sipas asaj që dëshiron dhe ky stereotip i tyre shfrytëzohet shumë më mirë nga vetë politika sesa opinionbërja.

Duke kujtuar se lexuesit e shtypit të shkruar janë të paktë, duhet pranuar se në këtë plan gjithsecilit nga opinionbërësit parimisht i duhet të reflektojë për një komunikim më të mirë me publikun e gjerë, i cili është ai që formon hartat e pushteteve në Shqipëri…

Rikthyer në një përvojë televizive…

Në një kohë relativisht të gjatë me shkrime dhe një përvojë radiofonike të gjerë, përgjithësisht jam munduar t’u bëj me dije atyre që më kanë lexuar apo dëgjuar në radio realitete të caktuara ku edhe kam shtuar gjithmonë edhe një interpretim personal për ngjarjet.

Gjithashtu, më duhet të them se nuk jam ndjerë i ngopur me këto mundësi dhe se komunikimi me publikun e gjerë më është dukur i pamjaftueshëm. Gjykoja se diçka i mungonte komunikimit tim me të.

Duke mos paragjykuar ata që shkruajnë vetëm për një publik të zgjedhur të pakicës, personalisht, besoj se tek ky konkluzion arrijnë të gjitha ata që shkruajnë për publikun e gjerë. Ndaj, në fakt, personalisht, për një zgjedhje racionale i jam kthyer ekranit të vogël në një emision të formatit me telefonata direkte nga publiku dhe jam përsëri i gatshëm ta përsëris.

Kështu ndodhi para disa vitesh dhe pas një ndërprerjeje prej 2 vitesh të komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun në një nga televizionet e Tiranës Tashmë po mu dha mundësia do e bëja përsëri!

Ky model programI televiziv është i konceptuar me tema të rëndësishme sociale dhe politike të cilat pretendon t’i transmetojë tek publiku në mënyrë sa më të thjeshtë dhe divulgative.

Ai tenton që mesazhet socio-politike dhe kulturore, të cilat kanë për shoqërinë e gjerë shkrimtarët, artistët, politikanët, komentatorët, t’i përcjellë tek publiku me gjuhë sa më të thjeshtë. Ndërtimi i një dialogu tepër të munguar në shoqëritë në zhvillim është qëllimi parësor i tij.

Çdo ditë komunikoHet me njerëz të cilët nuk prezantohen me emrat e tyre, por me formimin dhe bindjet socio-politike të cilat kanë mundësi të ballafaqohen midis tyre dhe me vëmendjen publike.

Njerëzit të cilët janë mësuar të flasin në mënyrën dëshirore (me duhet, duhej, sikur) kanë tashmë mundësi të dëgjojnë dhe t’u kujtohet gjithashtu se jeta e përditshme mund të konceptohet sipas mundësive praktike.

Ky është vetëm fillimi dhe meqë nuk jam i vetëm që realizoj një format të tillë televiziv, shpresoj në rezultate pozitive me vetë kontributin e drejtpërdrejtë të njerëzve të të gjitha formimeve socio-kulturore dhe politike…

Share: