Home KRYESORE Përse shkruaj?*

Përse shkruaj?*

Nga Enkel Demi

Unë nuk marr pjesë nëpër konkurse. Prej tyre kam një farë droje. I kam thënë para do ditësh një shkrimtareje: “Nuk më pëlqen të marr pjesë në konkurse, sepse po nuk fitova më duket se më kanë ngrënë hakun, ama po fitova më ngjan se u kam hyrë në hak të tjerëve”.

Kjo duhet të jetë arsyeja kryesore, e cila më ka shtyrë mos të pranoj që librat e mi të marrin pjesë nëpër gara a çmime.

Por, kësaj here, për këtë Çmim që është më i rëndësishmi për letërsinë shqipe, nuk varej nga dëshira ime. Anëtarët e këtij komisioni nuk përzgjedhin, por lexojnë autorët e vitit, ndaj në një rast të këtillë mua më bie ose të plotësojë këtë kokëfortësi timen dhe të mos e qas çmimin, ose ta marr këtë Çmim dhe ta çmoj shumë për peshën që ka.

Patjetër që do marr çmimin, sepse vetëm fakti që Brikena Çabej, Visar Zhiti, Dhurata Shehri, Riza Braholli dhe Alda Bardhyli kanë lexuar librin tim më del e më tepron. Unë shkruaj që të më lexojnë, ndaj sot jam këtu me sedër të përkëdhelur, sepse në radhë të parë më keni lexuar dhe keni vajtur akoma më tej pritshmërisë sime; më keni vlerësuar kaq shumë.

Ju faleminderit nga zemra dhe padyshim që ndjehem në borxh me ju.

Por, ja ku po ju them, se sapo rrëfeva një gjë, për të cilën qëllon të më pyesin. Më thonë: “Pse shkruan ti?”. Unë paskam një përgjigje; shkruaj që të më lexojnë.

Unë dikur shkruaja, se të gjithë shkruanin dhe të gjithë do merrnim Çmimin Nobel. Meqë dhe unë isha një nga këta mëtonjësit e Nobelit, nuk arrita kurrë as tek gazeta e murit e gjimnazit. Madje, tek gazeta “Zëri i Rinisë” një shkrimtar shumë i njohur nuk botoi ç’i paraqita me zemër në dorë dhe padyshim do ketë patur të drejtë.

Por, gjithsesi unë shkruaja, sepse babës që më mësoi të lexoja libra, dëshiroja t’i rrija përballë nga ana tjetër, nga soji i shkrimtarit. Ai lexoi gjithë copat e letrave që i dhashë, përherë buzëqeshi, por pastaj vdiq. Nuk më tha kurrë një fjalë zhgënjyese, prandaj unë vazhdova të shkruaja për një lexues të vdekur. Kjo ndoshta ma ka bërë udhën e shkrimit në vetmi shumë të gjatë, por dikur më lodhi. Rrëfimet e mia kishin nevojë për të gjallë.

Ndaj sot shkruaj për Jonin dhe Hanën, fëmijët e mi, të cilët janë këtu sot. Falë Zotit unë, baba e tyre do kem diçka për t’u lënë, atëherë kur të shkoj tek baba im.

Shkruaj për nanën time që më këndon atë shqipe të vjetër sa bota, e cila ka mbirë në rrëfimin tim.

Shkruaj për hallën time që më tregon këtë fis të marrë, në të cilin bëj pjesë.

Shkruaj, se kam gjetur një mënyrë të këtillë për të dashuruar gruan time.

Shkruaj, se dëshiroj që ju të më lexoni. Po ma bëtë këtë nder do ju jem përherë mirënjohës.

Por, ndoshta ka me mijëra arsye përse unë shkruaj dhe duhet të shkruaj, arsye të cilat unë nuk i di, nuk i njoh, prandaj shkruaj që t’i zbuloj deri sa të kem frymë.

Janë këto arsye të tjera, të panjohura që më bëjnë të pasigurtë, prandaj kur më pyesin: “Përse shkruan?”. Unë përgjigjem shkurt: “Nuk e di përse shkruaj”.

Sot, ma keni bërë zemrën mal dhe për ca kohë njeri me fletë, derisa të ulem sërish para kompjuterit tim.

  • Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Kombëtar të Letërsisë për romanin “Gurët e vetmisë” të Tom Kukës/27.AL

Share: