Home KRYESORE Si e tha ai sazexhiu? Nga cikli ‘Kafe për llafe’

Si e tha ai sazexhiu? Nga cikli ‘Kafe për llafe’

Nga Çapajev Gjokutaj

“U bënë dy javë që jam tek ime bijë, në Austri. Darkave nuk dëgjoj lajme dhe nuk ndjek tevatyret televizive me politikë e politikanë. Dhe ndihem i ndërdyshur. Më ngjan vetja si ata që sapo lënë duhanin. Më njerën anë vuajnë mungesën, më anë tjetër gëzojnë ikjen nga vesi e varësia.

Dhe nis e përsias: pse merremi aq shumë me politikë, për zakon apo për interes? Një mëndje më thotë nga që e kemi traditë të stërmotshme. Denbabaden politika në skërkat tona ka qenë biznesi më fitimprurës.

Në vaktin e parë, t’i sherbeje Baba Dovletit, ta shpërblente duke të dhenë toka, katandi e ofiqe. Sot shumica e politikanëve hyjnë në zanat brekëgrisur e bëhen milionerë.

Edhe aradhat e militantëve rropaten e shpresojnë të marrin në shkëmbim ndonjë tender a konçesion, apo qoftë edhe ndonjë vend pune.

Madje edhe shumë fukarenj i presin zgjedhjet, – rastin e vetëm kur merren me politikë -, si kohë alleshverishi: shit votën për ca pare të thata a për një thes miell.

Seicili jep diçka dhe pret të marrë sipas sërës, sipas tarafit ku bën pjesë, a sipas takatit. Ndaj të gjithë mbetemi me sy e veshë nga politika.

Si e tha ai sazexhiu? ‘Merr pushtetin dhe një herë, të na hedhç ndonjë thelë’. Me që politikën e kemi kthyer në biznes, vendin dhe shtetin i kemi bërë berra, i therim dhe i ndajmë periodikisht me thela e me llokma.

Në vendet për së mbari demokracia nxit të bësh biznes në treg dhe në ekonomi, tek ne biznesi po bëhet në politikë e me politikën. Atje shtohen sipërmarrësit, këtu sejmenët.

Me një fjalë kutërbon në çdo anë. Si në vaktin kur vorba e fasuleve vihej në zjarr përditë.

Por hera-herës them se mbase i shoh gjërat më zi seç janë, nga që gjithë ditën ndihem i vetmuar e s’kam me kë këmbej dy fjalë.

Mezi pres të kthehem mes atij kutërbimi🤪Të fala të gjithëve. Edhe Netës.”

Kështu më shkruan Lilua dhe mua m’u kujtua se vargjet e Naimit ‘ti Shqipri më jep nder…’ buronin sa nga malli i mërgimtarit aq edhe nga mllefet për disa nga bashkëkohësit.

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: