Home KRYESORE Sterilizimi/SPAK nis marrjen në pyetje, doktori Koni: Dhashë detaje për…

Sterilizimi/SPAK nis marrjen në pyetje, doktori Koni: Dhashë detaje për…

Rreth një muaj pas kallëzimit nga Nisma Thurje, SPAK ka nisur marrjen në pyetje në lidhje me kontratën konçesionare të sterilizimit.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka thirrur doktorin urolog Artan Koni si person në dijeni mbi rrethanat e këtij koncesioni. Koni është gjithashtu përfaqësues i Nismës Thurje dhe më parë ka deklaruar se ky koncesion është i dyshimtë pasi nuk ka sjellë përmirësim të shërbimit.

Prokuroria më thirri si një nga kallëzuesit e çështjes më shumë për të parë detaje si ekspert i fushës dhe i sqarova detaje se si është bërë kjo llogari. Nuk mund t’ju them çdo detaj për hir të hetimit. Kemi dyshime që është një koncesion korruptiv,mbetet që ta vërtetojë prokuroria” tha doktori Koni pasi dha dëshminë e tij ndërkohë që shtoi se sipas përllogaritjes së tyre sterilizimi i pajisjeve mjekësore “kushton 2.4 euro për një pajisje ndërkohë ne paguajmë 190 euro” sipas kësaj kontrate.

Koncesioni i sterilizimit është fituar nga kompania “Sani Service” dhe ka gati 5 vite që është në zbatim pasi u miratua nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja. Ende nuk dihet nëse ai është regjistruar si një nga personat që do të pyeten në lidhje me këtë çështje nga SPAK.

Hetimi i parë për këtë çështje është ndjekur nga prokuroria e Tiranes, por më pas çështja është pushuar.

Dyshime mbi këtë koncesion janë ngritur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport i vitit 2018 thuhet se për energjinë elektrike të shpenzuar nga kompania koncesionare për sterilizimin e pajisjeve janë paguar 32 mijë euro nga spitali pra nga buxheti i shtetit dhe jo nga vetë kompania private e cila paguhet për këtë shërbim. /Opinion.al

Share: