Home KRYESORE Të kuptosh moshën dhe jetën e tjetrit

Të kuptosh moshën dhe jetën e tjetrit

Nga Artur Nura

Eksperiencat e lëvizjes më pranë njerëzve në rrugët e Tiranës të japin mundësinë të njohësh më mirë realitetin shumë dimensional të kryeqytetit të Shqipërisë, i cili pa dyshim që lundron në një lloj kaosi sa urbanistik, social, kulturor, ashtu dhe shpirtëror! 

Njërën prej këtyre ditëve hipa në autobus dhe më bëri përshtypje sjellja ndaj një burri të vjetër, i cili ishte pensionist dhe veteran. Ai u afrua afër një zonje të re rreth të 30-ave dhe i rrinte në këmbë, sigurisht që ajo në fund t’i lironte vendin për t’u ulur!

Fatorinoja, që mund të bënte shumë mirë qytetarin në këtë rast, i kërkoi veteranit të paguante biletën dhe pasi ky i fundit i tregoi se sipas ligjit duhet të hipte falas në autobus, ai me përçmim i tregoi se në ekonominë e tregut nuk ka asnjë shërbim falas…! Zonja e re, e cila rrinte e bezdisur nga prania e të moshuarit, i tha të moshuarit se nuk duhet t’i rrinte përballë. 

– Mendova se mund të më lironit vendin për respekt të moshës! – i tha veterani duke shpresuar në mirëkuptimin e saj. Por ajo me mjaft nervozizëm i tregoi atij se ajo kishte paguar biletën. 

– Unë nuk do të jem kurrë më si ty zonjë, por ju pa dyshim që do bëheni si unë! – tha i moshuari dhe u largua për t’iu afruar derës së autobusit, sigurisht për të zbritur dhe zbrazur inatin me veten. 

Në fakt, personalisht në një moment u mata të ndërhyja, por ambienti në autobus nuk m’u duk miqësor për një akt të tillë qytetar…! 

Të mendosh si për veten tënde 

Në këtë botë çdo gjë është relative si nga përmasat, perceptimi ashtu dhe përjetimi. Kjo sentence filozofike përmban gjithçka për njeriun dhe jetën e tij, por sot dua të ndaj me lexuesit vetëm një pjesë të saj: atë të moshës së njeriut! 

Pa dyshim që të rinjve u bie vetëm të imagjinojnë se ç’është mosha e dytë dhe e tretë dhe të jetojnë furishëm dinamikën e moshës së tyre, e cila është pjesa më e mrekullueshme e gjithë jetës. Moshës së dytë i duhet të kujtojë rininë, të jetojë të tashmen duke parë prindërit në moshën e tretë dhe të mendojnë në fund si do të jetë pleqëria për ta. Ndërsa moshës së tretë nuk i ngel gjë tjetër veçse të kujtojë rininë pa kufij, periudhën prindërore, ndërsa nuk dëgjonin brezin e tretë dhe si gjyshër të mendojnë nëse vërtet ekziston edhe jeta e përtejme. 

I bindur se individi dhe njohja e tij për jetën është e lidhur ngushtë me përvojën e tij personale, më duhet të them se po të mendonim të gjithë në këtë mënyrë racionale, ngjarje të tilla të rënda nuk duhet të përsëriteshin. 

Fjala e të moshuarit është shumë domethënëse. Ndoshta edhe ai dikur (kur ishte më i ri) ka trajtuar një më të vjetër me të njëjtin indiferentizëm dhe përçmim! Ndoshta jo, por pa dyshim që fjalën e tij, ajo zonjë e re një ditë do ta kujtojë dhe do t’i vijë shumë keq për sjelljen e saj të padenjë, por do të jetë shumë vonë. 

Sigurisht që do të ishte më mirë sikur të gjithë të shihnim me sytë humanë vetveten në pozicionin e tjetrit. Kështu bota do të ishte pa dyshim më e mirë por…, për fat të keq, askush nuk e bën këtë gjë derisa e provon në kurrizin e tij. Kur kjo ndodh, ti nuk ke më mundësi ta zhbësh atë që ke bërë dikur…! 

Mosha e tretë në kultura të ndryshme 

Pa dyshim që mosha e tretë është brezi më në nevojë në të gjitha shoqëritë. Në kulturën popullore shqiptare përdoret mjaftë shprehja: “Më mirë të mos kishte pleqëri!” Nga ana tjetër, ne kemi edhe elemente të tjera të filozofisë popullore që sugjerojnë për të kundërtën. 

Për shembull, ne në kulturën tonë popullore në ditën e lindjes urojmë “Edhe 100 vjeç!” Në kultura të tjera evropiane urojnë ndryshe dhe thjesht, “Gëzuar ditëlindjen!” Për shembull në anglisht: “Happy birthday!” Ndërsa në italisht përdoren të dyja format “Buon compleano!” që në shqip është “Gëzuar ditëlindjen!” dhe pa dyshim ndonëse më pak, “A cento anni!” – “U bëfsh njëqind vjeç!” 

Parë në analizë racionale, në kulturën shqiptare simbolika është: Jetë të gjatë, pavarësisht se mund të jetë e dhimbshme dhe me vuajtje afatgjata fundi i saj! Në kulturën angleze “Happy birthday”, parë po nga i njëjti këndvështrim, simbolizon që sigurisht nëse do Zoti ta jetosh ditën e parë të 100 vjetëve është shumë mirë, por ama që ta gëzosh atë dhe jo ta vuash! Ta jetosh jetën dhe jo të të jetojë ajo ty…! 

Eutanazia 

Eutanazia është një nga filozofitë që po hasin në debate të mëdha në vende të ndryshme të Evropës dhe e cila e gjen bazën e saj logjike tek ky fenomen njerëzor. Besohet se kur njeriu nuk ka mundësi të rikuperojë të jetuarin dinjitoz dhe pa vuajtje, duhet të lejohet dhe të ndihmohet të vdesë me dinjitet. 

E thënë më thjesht, nëse shkenca konfirmon që ti nuk mund të kurohesh dhe jetosh me dinjitet, sigurisht me vullnetin tënd, apo në raste të veçanta edhe të familjarëve të tu, mund edhe të vdesësh për të mos vuajtur pa arsye racionale jetën. 

A është e drejtë një filozofi e tillë? Sigurisht që lë shteg për të diskuar dhe sigurisht edhe në këtë rast gjithsecili e gjykon sipas përvojës së tij personale. Ka vende të Bashkimit Evropian që e kanë të legalizuar tashmë eutanazinë, apo thënë më shqip, të drejtën për të vdekur me dinjitet. Të tjera vende akoma po e debatojnë…! 

Share: