Nga ARTUR NURA,
Më kujtohet në vitin 1992 kur të gjithë shqiptarët donin të iknin nga Shqipëria e varfër dhe ku të mundnin, mjaftonte larg saj, pas peripecish të shumta në kangjellat e ambasadës italiane dhe një bashkëbisedimi të vështirë me karabinierët, munda të hyj në takim me konsullin e atëhershëm, znj. Francesca Tardioli. Pas përshëndetjeve etike, asaj nuk iu durua dhe më mjaft nerv më pyeti se përse bashkëkombësit e mi ishin kaq të paduruar!
Për fat të mirë, mësimin e gjuhës italiane e kisha marrë nga njëri prej shqiptarëve mendjendritur, ndaj njihja edhe shumë fjalë të urta të kësaj gjuhe dhe këtij kombi me histori të madhe.
“Comprendere e’ perdonare, Dottoressa!” (Të kuptosh do të thotë të falësh, zonjë!). Duke i kujtuar këtë fjalë të urtë italiane zonjës së nderuar dhe i kërkuar gjithashtu që të ishte më e qetë, me dashamirësi i sugjerova që të kuptonte shoqërinë shqiptare, e cila nuk kishte qenë kurrë e sigurt në ato 40 vitet e fundit të komunizmit.
Në fakt, në këtë pasiguri në atë kohë kishte ndikuar edhe vetë konsullata që sapo kish anuluar shumë garanci italiane të rregullta për shqiptarët, ndaj me mjaft delikatesë i kujtova gjithashtu se në historinë e emigrimit botëror, ai italian ishte themelor dhe se prej vitit 1861 deri në ditët e sotme kishte prodhuar rreth 24 milionë emigrantë italianë në një hartë shumë të madhe shtetesh.
Ajo, pasi u tërhoq me kujdes nga pozicioni i parë, m’u përgjigj se pa dyshim që na kuptonte, por duke shtuar se edhe ne duhet ta ndihmonim që të bënim punën tonë të përbashkët më mirë akoma…!
A nuk duhet menduar si për veten?
Ndërsa shikoja një film artistik që fliste për relativitetin e karakterit njerëzor në dimensione personazhesh të sajuara me kujdes dhe që pa dyshim zbërthenin qartë natyrën relative njerëzore dhe rolin e fatit të tyre, m’u kujtua kjo histori e shumë viteve të shkuara.
Të gjykosh tjetrin është pa dyshim gjëja që ndodh më shpesh në praktikat njerëzore dhe jo në pak raste të gjithëve na bie të gjykojmë të tjerët me ashpërsi për atë çka bëjnë. Kurrë nuk pyesim veten se po të ishim edhe ne në vendin e tyre, a do të vepronim pikërisht si ata apo ato!
Kjo është pa dyshim një e metë e qenies njerëzore dhe i ndodh shumicës prej nesh kur paragjykojmë të tjerët pa reflektuar si duhet. Këtë e bën një evropian, qoftë ky italian, grek, spanjoll etj. për emigrantët shumëkombësh në Evropë, të cilët kërkojnë të bëjnë një jetë më të mirë.
Ketë gjë e bën rinia për të vjetrit dhe anasjelltas, e bën një burrë për një grua, një fshatar për një qytetar, e bën një punëtor krahu për punëdhënësit e tij, një shqiptar për një italian e kështu me radhë dhe gjithmonë dhe pa dyshim edhe anasjelltas.
Për fat të keq, ky është një handikap të cilin e kalon vetëm një pjesë shumë modeste e shoqërisë njerëzore dhe në këtë grup të vogël të shoqërisë bëjnë pjesë edhe grupimet e interesit të Mass medias.
A mundet Mass media shqiptare të bëjë si ajo italiane?
Së fundi, në Itali politikave konservatore dhe herë-herë, raciste të qeverisë ku bënte pjesë dhe Lega Notd ndaj emigrantëve, grupime të caktuara gazetaresh iu kundërvunë duke kërkuar nga kolegët e tyre të mos përdornin gjatë shkrimeve, raportimeve dhe lajmeve fjalë të caktuara dhe domethënëse.
Pas bojkotimit të fjalëve fyese ndaj grupimeve të caktuara të ashtuquajturve “ekstra komunitarë” apo emigrantëve, këto grupe interesash kërkonin, kërkojnë bojkotimin e fjalës “klandestinë”, të cilët penalizohen tashmë nga ligji italian dhe kjo ndodh kur qeveria aktuale po zbaton programe shumë të egra ndaj tyre.
Aderimi në këto organizime gazetarësh, operatorësh, pronarësh e të tjerë të Mass mediave italiane, është shumë i madh edhe unë personalisht për shkak të bashkëpunimit që kam me Radio Radicale në Itali kam aderuar dhe ndihmuar sadopak.
Por, pyetja në këtë rast është se ç’duhet bërë në Shqipëri që të jemi në nivelin e kolegëve italianë. Të gjithë jemi dakord se Mass media është pushteti i katërt në një demokraci perëndimore (qoftë edhe si kjo e jona) ndaj të gjithë duhet të reflektojmë si të bëjmë të mundur që ky pushtet të funksionojë në favor të shumicës së shoqërisë dhe veçanërisht atyre më në nevojë.
Ndërsa vazhdojmë të ankohemi publikisht për vrazhdësinë e politikës shqiptare, ne harrojmë që jemi ne ata që përcjellim këtë vrazhdësi tek njerëzit e thjeshtë, duke bërë që edhe vetë shoqëria jonë të kthehet e tillë, ndoshta më e vrazhdë për arsye krejt objektive.
A nuk duhet që organizimet e gazetarëve shqiptarë të reflektojnë dhe të bëjnë thirrje për të aderuar në iniciativa të ngjashme që edhe ne të kontribuojmë për një jetë dhe shoqëri më të mirë, më të emancipuar?
A mund të fillohet edhe në Shqipëri një iniciativë e ngjashme, e cila do të sugjeronte bojkotimin e fyerjeve publike që bëjnë politikanë të caktuar, bojkotimin e etiketimit si “kriminel”, “i korruptuar”, (tagër i gjykatësve) ndaj protagonistëve të ndryshëm të politikës, gazetarëve apo edhe protagonistëve të drejtësisë vetë?
Sigurisht, kjo është vetëm një ide të cilën duhet ta marrin në konsideratë shoqatat e gazetarëve, sindikata e tyre dhe pasi ta analizojnë, le të dalin në ide konkrete. Një zhvillim i tillë pozitiv sigurisht që do zhbënte “de facto“ nga pikë pamja morale të gjithë investimin politik të kësaj shumice me ligjin anti shpifje…