Albin Kurti, vizitën e parë si kryeministër do ta bëjë në Tiranë. Siç mësohet shefi i qeverisë shqiptare do të jetë ditën e martë, në 11 shkurt, në Tiranë. Gjatë vizitës, mësohet se Kurti do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit.
Marrëdhëniet mes dy kryeministrave shqiptare nuk janë në nivelet e tyre më të mirë, por gjatë një vizite në Uashington, Rama ka thënë: “Mezi pres të bashkëpunoj me ta në drejtim të marrëdhënieve tona dhe ëndrra ime si edhe e çdo shqiptari është që kufiri të bëhet krejtësisht fluid”.
Të hënën parlamenti i Kosovës votoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti. Votimi i dha fund boshllëkut gati katër muajsh, përgjatë të cilëve lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, negociuan për ndarjen e pushtetit.
Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme vjeshtën e kaluar pas dorëheqjes së ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë në muajin korrik, për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë./ Opinion.al