Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht, pas më shumë se 24 orësh, për arrestimin e Vladimir Gjutës. Sipas njoftimit të policisë, ndaj 40-vjeçarit ka nisur hetimi pasuror.
Të hënën në mëngjes, në rrugën “Çamëria” pranë Partisë Socialiste, rreth orës 08:45 ai është arrestuar pasi ngjalli dyshime tek Garda dhe policia, që kishin marrë në ruajtje selinë rozë pasi do zhvillohej mbledhja e kryesisë.
“Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash. Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja”, njofton policia.
Po gjatë kontrollit të banesës policia sekuestroi edhe një mjet të blinduar “Audi A8”, me të cilën qarkullonte Vladimir Gjutës. Pas mbledhjes së Kryesisë të hënën, Kryeministri është larguar me një makinë tip fuoristradë dhe jo me Mercedesin që përdor zakonisht.
Vetë Gjuta ka deklaruar se ndodhej në zonë për të dorëzuar paratë në një exchange pranë selisë së Partisë Socialiste dhe se nuk kishte lidhje me prezencën e eksponentëve të lartë socialistë, të pranishëm në seli. Edhe armën, ai u tha oficerëve të policisë, se e kishte marrë me vete për shkak të shumës së parave që kishte për të dorëzuar.
Vladimir Gjuta u arrestua një muaj më parë pasi kishte rrahur me çekiç kushëririn e tij duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë. Për shkak se i afërmi i tij është tërhequr nga denoncimi, gjykata vendosi që ai të hetohej në gjendje të lirë./ Opinion.al