Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhej ditën e sotme në Kukës, ku është takuar me të rinjtë e këtij qyteti.
Ky takim është bërë në kuadër të nismës së kryedemokratit “Po të dëgjoj”. Basha iu kërkoi kuksianëve të mos e braktisin vendin, duke u premtuar se kur të vijë në pushtet do të investoj për këtë qytet.
“Në Angli do të jeni vrima e fundit e kavallit, këtu do të jeni në bash të vendit. Jeni qyteti më i diskriminuar dhe më i goditur. Asnjë pengesë nuk do të keni, do të keni vetëm lehtësi”, u shpreh Basha.
Po ashtu, Basha ka paralajmëruar me tone të forta kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai duhet të hapi rrugën për zhvillimin e zgjedhjeve, ose rruga tjetër është përdorimi i forcës.
“Traun do e heqim, doganën do e heqim. Tani i kemi kërkuar Ramës që të hapë rrugën për zgjedhje, do lesh shqiptarët dhe kuksianët që të shkojnë në zgjedhje. Po nuk e hape me të mirë, rruga tjetër është me forcë, me përballje”, u shpreh Basha. / Opinion.al