Home KRYESORE Bovilla do të zgjerohet; rritet me 13 herë furnizimi me ujë

Bovilla do të zgjerohet; rritet me 13 herë furnizimi me ujë

Ujësjellësi i Tiranës do të zgjerojë impiantin e Bovillës falë një kredie dhënë nga  Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerën 30 milionë euro.

15 milionë euro do të përdoren pikërisht për rritjen  e kapacitetit të përpunimit të ujit që vjen nga Liqeni i i Bovillës, pasi aktualisht filtrohet vetëm gjysma.

“Bovilla është parashikuar që në të ardhmen të arrijë deri në 3600 litra ujë në sekondë. Ne në këtë fazë do të shkojmë nga 1800 litra ujë për sekondë, në 2400 litra ujë për sekondë, duke e shtuar me 600 litra ujë për sekondë. Kapaciteti përpunues do të shkojë nga 56 milionë metër/kub në vit, në 76 milionë metër/kub ujë në vit”, thotë Evis Gjebrea, zv.drejtore e Përgjithshme UKT. 

Zgjerimi i impiantit të Bovillës do të zgjidhë furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve në zonën e Yzberishit,  të cilët deri më tani përdorin ujë pusi.

“Duke parë edhe problemet që ka patur Yzberishi në sezonin e verës, Ujësjellësi i Tiranës ka parë më të favorshëm opsionin që të shtojë ujin nga Bovilla në mënyrë që të ulë koston e energjisë nga përdorimi i puseve, që janë një kosto goxha e lartë për Ujësjellësin. Duke rregulluar edhe orarin e furnizimit me ujë të kësaj zone, kjo do të ndikojë edhe tek zonat e tjera”, deklaron Gjebera.

Paralelisht  do të bëhet edhe ndërtimi i linjës së transmetimit  nga ujëmbledhësi në impiantin e Bovillës.

“Aktualisht transmetimi kalon nga një linjë me diametër 900 dhe tani parashikohet që të përfundojë një tubacion i linjës së transmetimit me diametër 1200, që do të përballojë jo vetëm këto 600 litra për sekondë, por edhe litrat e tjera që do të shtohen derisa të arrijë shfrytëzimi i kapacitetit maksimal të Liqenit të Bovillës”, sqaron Gjebrea.

Faza e parë e projektit pritet të përfundojë brenda dy viteve.

Top Channel

Share: