Home KRYESORE Donacionet, kushtetuesja dhe drithi i fukarasë

Donacionet, kushtetuesja dhe drithi i fukarasë

Nga Çapajev Gjokutaj

Kur bën dasëm fukarai, griset daullja. Ky proverb mund të të kujtohet këto ditë, kur Shqipërisë i janë premtuar 1,15 miliardë € për të rikuperuar dëmet e tërmetit, por vemendjen si shoqëri e kemi përqendruar në ndeshjen president – kryeministër.

Imazhi i një shume kaq të madhe shfaqet në horizont si mundësi që, një vendi të vogël e të varfër si ky yni, i vjen një herë në hënë. Është imazh tërë drita e ngjyra, por pas shkëlqimit lëbyrës fsheh rreziqe që mund ta kthejnë në një mirazh nga ata që të qorollepsin dhe të zhysin edhe më thellë në shkretëtirën e varfërisë.

Janë një varg rreziqesh për të cilat si shoqëri duhet të diskutonim, të ndërgjegjësoheshim dhe të gjenim rrugët për t’i shmangur. Fillojne me faktin që premtime të tilla mund të kenë shumë firo rrugës dhe kur vjen fundi katandiset kokoshi një thelë.

Vazhdojnë më tej me mundësitë e shperdorimit, aq të pranishme në një vend ku korrupsioni pergjon pas çdo kthese. Dhe perfundojnë me rrezikun që kjo shumë gjigande të përdoret thjesht për llaç e tulla, në një kohë kur duhen ndërtuar strategji që, bashkë me rindërtimin të gjallërohet zhvillimi ekonomik për sot e për nesër. Një pjesë e mirë e miliardit është kredi e do pleqëruar si mund të përdorej që të kthehej në mundësi zhvillimi e jo në lak asfiksues.

Ne vend që këtë periudhë të vlonin diskutimet për gjithë këto mundësi e rreziqe, pothuajse të gjithë po përfshihemi në tifon kombëtare ‘presidenti apo kryeministri?’. E pra kësaj i thonë të lësh dasmën e të shkosh për shkarpa.

E ke gabim mund të thotë shumkush, problemi që mbizotron diskutimet publike e mediatike të ditëve të fundit nuk është thjesht ndeshje kacagjelash, është luftë serioze për shtetin e së drejtës, për një nga pjesët më vitale të tij, për gjykatën kushtetuese.

Kështu mund të duket, por në thelb s’është luftë për shtetin e për gjykatën më të lartë, por për faktin se kush do ta kontrollojë këtë gjykatë, më saktë kush do ketë mundësinë ta përdorë për të ruajtur klanin e vet e për t’u hapur dyert e hapsanës kundërshtarëve.

Po të kishim shtetarë, nuk e linin gjykatën kushtutuese të zhbehej e nuk ia merrnin me gjumë, jo pak por 2 – 3 vjet, në një kohë kur shtetit i mungonte një nga aletet kryesore për të ruajtur drejtpeshimin e për të mos hyrë në qorrsokaqet e 6 – 7 muajve të fundit.

Me nje fjalë ndeshja president – kryeministër është luftë në katet e sipërme të shtetit, për interesat e atyre që janë lart dhe jo për hallet dhe jetën tonë.

Nëse do vazhdojmë të bëjmë tifo për të e të mos shqetësohemi për gjëra që lidhen me jetën dhe mirëqenien tonë, siç është dhe rasti i 1.15 miliardë eurove, do ta gjejmë veten në vendin e personazhit folklorik që la dasmën e shkoi për shkarpa.

Dhe pastaj, kur rasti të na ketë ikur duarsh, s’do na mbetet tjetër veçse t’ia marrim këngës së atij fukarait hokatar: dhe sivjet që bëra drithë…

Share: