Home KRYESORE Cipras dhe Zaev vlerësohen me Çmimin e Paqes së Vestfalisë

Cipras dhe Zaev vlerësohen me Çmimin e Paqes së Vestfalisë

Për mprehtësinë diplomatike në zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë ish-kryeministri grek, Aleksis Cipras dhe ai maqedonas Zoran Zaev vlerësohen me Çmimin e Paqes së Vestfalisë.

Juria ndërkombëtare deklaroi, se të dy laureatët e këtij çmimi kanë zgjidhur konfliktin që zgjaste prej disa dekadash lidhur me emrin e “Maqedonisë” duke arritur në një marrëveshje që është një “vepër arti e diplomacisë”. Pa angazhimin e ish-kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev “kontesti për emrin nuk do të kishte marrë fund dhe kjo armiqësi fqinjësore do të vazhdonte ta destabilizonte të gjithë rajonin e Ballkanit”, tha kryetari i sagte Shoqatës Ekonomike për Vestafinë dhe Lippe (ëëL), Reinhard Zinkann.

Pas një grindjeje prej dekadash Maqedonia më 12 shkurt 2019 e ndryshoi emrin e vendit në Maqedonia e Veriut, Greqia që pas pavarësisë së Maqedonisë insistonte, që fqinji verior të ndryshojë emrin, sepse ai përkon edhe me emërtimin e rajonit verior të Greqisë dhe prej kësaj druhej për pretendime eventuale territoriale.

Projekti për klimën

Çmimi i Paqes së Vestfalisë për rininë iu akordua nismës Plant-for-the-Planet. Kjo organizatë jep një “kontribut shembullor” për objektivat për klimën, tha Zinkann. Më 2007 kjo nismë u themelua nga Felix Finbeiner asokohe nxënës shkolle nëntë vjeç dhe ndërkohë nga organizata në mbarë botën janë mbjellur 13,6 miliardë pemë.

Vlerësimi me çmimi shpërblehet me një shumë prej 100.000 Eurosh që e ndajnë laureatët mes tyre. Dorëzimi i çmimit bëhet më 19 shtator në qytetin e Mynsterit. Kësaj ceremonie i paraprin takimi dyditor “Münster Summit”, ku diskutohen temat e paqes dhe qendrueshmërisë.

Çmimi i Paqes së Vestfalisë akordohet që nga viti 1998 çdo dy vjet nga fondacioni i Shoqërisë Ekonomike të Vestfalisë dhe Lippes, një bashkim sipërmarrjesh. Ky vlerësim kujton Paqen e Vestfalisë, që u nënshkrua më 1648 në Mynster dhe Osnabryk. Kjo marrëveshje historike i dha fund luftës 30 vjeçare (1618-1648).

Me këtë medalje vlerësohen personalitete dhe institucione, që bëhen shembull për punën e paqes. Ndër ata që kanë marrë këtë vlerësim janë edhe ish-presidenti çek  Vaclav Havel, ish-kancelari gjerman Helmut Schmidt (SPD), dirigjenti i njohur, Daniel Barenboim etj.

Top Channel

Share: