Policia zbardh ekskluzivisht deklaratën e Vladimir Gjutës dhënë pas arrestimit, teksa u prangos në afërsi të PS-së.
Një burim i sigurt pranë Drejtorisë së Policisë, Tiranë i tregoi gazetares Anila Hoxha se Gjuta ka treguar që armën dhe një dorezë hekuri i kishte me vete për siguri dhe jo për ndonjë ngjarje.
“Armën dhe dorezën i kisha për vetëmbrojtje dhe për të ruajtur paratë është shprehur Gjuta”, tha zyrtari i policisë për gazetaren Anila Hoxha.
Më tej Gjuta ka deklaruar “lekët janë të miat dhe të familjes dhe unë gjendesha aty për t’i thyer në dollarë pasi kështu e kishim lënë me familjarët dhe me babanë”.
Zyrtari i policisë tregoi se Gjutës në total iu sekuestruan 121 mijë euro, 27 mijë dollarë amerikanë, 22 mijë paund dhe 664 mijë lekë, ku përfshihen edhe shumat që ju gjetën në banesë.
Vladimir Gjuta pritet të dalë për masë sigurie për tre vepra dhe konkretisht për pastrim të parave, armëmbajtje pa leje, mbajtje e armëve të ftohta (doreza). Pistoleta dhe 23 fishekët tha një burim i laboratorit të kriminalistikës janë dërguar për ekspertim balistik për të saktësuar nëse ishte apo jo kjo armë në gjendje të rregullt.
Top Channel