Home KRYESORE Japonia do të mbyllë të gjitha shkollat për parandalim të koronavirusit

Japonia do të mbyllë të gjitha shkollat për parandalim të koronavirusit

Japonia do të kërkojë mbylljen e të gjithave shkollave nga dita e hënë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, ka thënë kryeministri japonez, Shinzo Abe.

Ky vendim, që pritet të prekë 13 milionë nxënës, pritet të vazhdojë derisa të përfundojë faza e parë e vitit shkollor në fund të muajit mars.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus ka thënë se shpërthimi i këtij virusi ka arritur “në pikë vendimtare” dhe se ka “potencial pandemik”.

Për të dytën ditë me radhë, është shtuar numri i rasteve të raportuara jashtë Kinës.

Tedros u ka bërë thirrje qeverive që të veprojnë me shpejtësi për të ndalur virusin.

“Tani nuk është koha për frikë. Tani është koha për të vepruar ashtu që të ndalet infeksioni dhe të shpëtohen jetët e njerëzve”, ka thënë ai.

Deri më tani, më shumë se 200 persona janë infektuar me koronavirusin e ri në Japoni.

Një grua, në të dyzetat e saj në Osaka është thënë të jetë infektuar për herë të dytë me këtë virus pas shërimit.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor.

Që atëherë, numri i të prekurve në gjithë botën ka kaluar 80,000, ndërsa mbi 2,700 pacientë kanë vdekur – shumica e tyre në Kinë.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje. /Opinion.al

Share: