Home KRYESORE “Koha të zgjidhet problemi Kosovës me Serbinë”, Meta “thumbon” politikanët

“Koha të zgjidhet problemi Kosovës me Serbinë”, Meta “thumbon” politikanët

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi se ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të shërbejë në zgjidhjen e konfliktit mes tyre. I ftuar në një ceremoni të organizuar për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në ambasadën në Tiranë, Presidenti Ilir Meta theksoi se zgjidhja duhet parë në respektimin e standardeve evropiane dhe bashkëjetesën mes kombeve.

Në Ballkan, çdo popull dhe çdo komb është shumicë në një shtet dhe është pakicë në një shtet tjetër. Dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve, por respektimi i standardeve europiane të çdo pakice në çdo vend”, tha Meta. “Kosova e pavarur tregoi që është faktor stabiliteti. Nuk ka për të pasur asnjëherë zgjidhje të qëndrueshme duke menduar një zgjidhje me më pak shqiptarë në Serbi dhe më pak serbë në Kosovë. E vetmja zgjidhje është bashkëjetesa dhe respektimi i standardeve europiane për pakicat”.

Një koment Meta e bëri edhe për politikanët por pa përmendur emra të përveçëm. Ai tha se nuk ka popull të keq dhe popull të mirë, por ka politikë të mençur e vizionare dhe politikë vrastare dhe shkatërruese.

Pavarësisht nga historia dhe paragjykimeve, unë kam pasur fatin të njoh një udhëheqës të madh të Serbisë, një demokrat, pro europian dhe vizionar, Zoran Đinđić, pavarësisht se nuk jeton më. Jam i bindur se ëndrra e qytetarëve të Serbisë për një vend europian është ende gjallë. Dhe asnjëherë nuk duhet të udhëhiqemi nga paragjykimet në raportet me Serbinë për të ardhmen”, u shpreh presidenti Meta.

Ai bëri thirrje se ka ardhur koha të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur si shembull arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Meta mbështeti deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, kur tha se “në zemër të marrëveshjes duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve”. /Opinion.al

Share: