Home KRYESORE Kohët e palavdishme që po jetojmë …

Kohët e palavdishme që po jetojmë …

Nga Artur ZHEJI

Jemi realisht duke jetuar, nën renë e sterrtë, të një kupole, që tashmë është ngulur si një çati e përhershmë mbi kokat tona.

Politikisht dhe psikologjikisht, kjo kupolë, është sundimtare e  fuqiplotë. Thith energjitë e këtij vendi dhe të popullit që e banon dhe ushtron njëherazi një pushtet vertikal, gjithmonë e më vertikal, gjithmonë e më shumë, nga lart poshtë.

Shkurt dhe pa folur më kot tërthorazi, kemi në krye, një kryeministër që i ka kap të gjitha, në një grusht të vetëm dhe nga “a”-ja e deri te “zh”-ja.

Një Opozitë që nuk egziston, që nga “a”-ja e deri te “zh”-ja.

Një llumnajë e pashijshme personazhesh, që do bënin mrekullira me fatkeqët që dolën të dërmuar nga tërmeti 26 nëntor 2019, dhe që tani, pasi mblodhën lekët, humbën në mugëtirë, ndërsa të mjerët, mbetën akoma më të mjerë…

Një “arbitrazh” ndërkombëtar, apo “ndërkombëtarët”, si edhe thirren tash 30 vjet, që tallen, shfrytëzojnë rastin apo kanë ngritur duart lart, përpara këtij realiteti moçalor, banesë e përkryer për zhaba, gjarpërinj dhe insekte të shumta gjakpirëse.

Ndërkombëtarët pra, e them këtë për ata që nuk e kanë kuptuar akoma, në të vërtetë, na kanë lënë të rrokullisemi në rënie të lirë, sipas parimit që: ”Çdo popull, ka atë qeverisje që meriton te ketë!” Dhe qartazi, ne shqiptarët duhet ta pranojmë që, nuk kemi kujt ti ankohemi, sepse nuk kemi “Përse”, ti ankohemi!

Kështu pra, le të presim nga “a”-ja deri te “zh”-ja, rrjedhën natyrale të gjërave, në xhunglën tonë, ku më i forti shqyen më të dobëtin dhe në moçalin e pështirshëm, ku gjithmonë peshku i madh, ha peshkun më të vogël!

Ligjet janë shpikur, për të mbrojtur të dobëtit e planetit, nga arroganca e papërmbajtshme e të fortëve, ndaj atyre që Zoti apo natyra, ka bërë të lindin të vegjël dhe të brishtë, ashtu si dhe është populli, në të tërën e vet.

Por në xhungël dhe në moçal nuk ka ligje që marrin nën mbrojtje askënd.

Përveç kryeligjit që rrjedh natyrshëm si shiu dhe që tremb si vetëtimat, e që thotë gjithmonë të njejtën gjë: “Më i forti dhe fitimtari merr të gjitha!”

Pakicës dhe humbësve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të zvarriten pa dinjitet apo të shiten si prostituta, që në të vërtetë është e njejta gjë, apo jo?!

Këto dhe janë, “Kohët e palavdishme që po jetojmë!”

Gjthësesi, do të doja me gjithë shpirt të përgënjeshtrohesha, porse pesha e “Kupolës”, rëndon mbi popull, e sterrtë dhe gjithmonë e më shumë, sa edhe KM-së, po i merret fryma, por nuk e thotë…
Sepse përjeton dashninë rraskapitëse, të të pengmarrurit, me pengmarrësin e vet…


360grade.al

Share: