Home KRYESORE Kultura iracionale e Inferioritetit ndaj te huajve!

Kultura iracionale e Inferioritetit ndaj te huajve!

Nga Artur Nura

Në kënd vështrim personal më rezulton se shoqëria Shqiptare është nën vartësinë tradicionale të një kulture iracionale inferioriteti ndaj të huajve. Ky fenomen sigurisht që është shumë dimesional dhe parimisht duhet të ketë disa lloj shkaqesh dhe interpretimesh.

Personalisht duke qënë partizan publik i teorisë së racionalitetit në kulturën tonë të përgjithëshme, besoj se duke mos mohuar padyshim anën mjaft positive të këtij fenomeni që dimensionohet edhe në traditën e mikpritjes Shqiptare, ai më duket përgjithësisht iracional.

Padyshim që kemi te bëjmë me një perceptim personal dhe nuk mund të them se unë jam ndryshe nga të tjerët, të cilët si edhe unë, edhe mund të gabojnë! Por, me kënaqësi dua të ndaj eksperiecat e mia relative me lexuesin, sigurisht duke shpresuar në reagimin pozitiv të tyre ndaj opinionit që del prej tyre.

Duke shoqëruar një Anglez dhe një Spanjoll

Në vitin e vështirë të 1997-ës gjatë atyre zgjedhjeve po aq të vështira, shoqëroja dy vëzhgues ndërkombëtar të OSBE-së në qytetin e Peshkopisë nga vjen prejardhja e familjes time. Njëri ishte Anglez dhe tjetri Spanjoll dhe padyshim edhe për shkak të historisë së ndryshme të dy vëndeve përkatëse edhe ata ishin të ndryshëm nga njëri tjetri.

Ndërsa do niseshim nga Tirana për Peshkopi dhe sipas traditës Shqiptare unë u ofrova kafen e mëngjesit dhe i parapagova ato! Rrugës së lodhshme ndërsa ndaluam diku Spanjolli nuk më lejoi te rri-pagoja dhe u bë ai qerasësh për rastin! Në ndalesën e tretë…, për hir të së vërtetës pagova përsëri unë! Spanjolli më pa me mos aprovim! Anglezi buzëqeshi me kënaqësi, ndonëse sipas thashethemeve merrnin rreth 1000 Usd në ditë për të vëzhguar zgjedhjet tona! Por, në ndalesën e katërt edhe sipas traditës Britanike nuk mund ti shmangej më pagesës dhe ndërsa na bleu vetëm një fanta të madhe na kërkoi ta paguanim të tre! Spanjolli duke vënë re sikletin tim, dha kontributin e tij duke më imponuar edhe mua të bëja të njëjtën gjë!

Personalisht me mjaft pasion u shpjegova miqvë të huaj traditën e mikpritjes Shqiptare ndaj mikut dhe faktin që për të cilën ne përgjithësisht krenoheshim. U tregova gjithashtu se këtë gjë do ta vërtetonin ndërsa do të vizitonim qytetin e prejadhjes së familjes sime, Peshkopi! Vërtetë ashtu ndodhi, kudo që shkuam fshatarët e atyre zonave me shprehjen e ngrohtë “Bujrom” dërgonin fëmijët e tyre të blenim me lista pagesash ato çka do qerasnin miqtë e tyre të rrallë.

Personalisht vura re se mikpritja e ngrohtë Shqiptare, të paktën për Anglezin shihej si diçka e rrallë dhe primitive nga e cila vetëm duhej përfituar! Për Spanjollin, historia e varfërisë së vëndit të tij ka ndryshuar më së voni, perceptimi për rastin dhe traditën tonë ishte disi ndryshe, ndonëse edhe ai u bë përfitues i kësaj tradite e cila zbrazte xhepat e grisur të atyre fshatarëve për të kursyer ato të…!

Në fakt kulmi i divergjencës së kulturave arriti në fshatin më të varfër të Peshkopisë dhe ndoshta të Republikës, ku Anglezi më pyeti nëse edhe ata fshatarë e kishin traditën e mikëpritjes Shqiptare dhe do na ofronin drekën! Ndërsa Spanjolli më pyeti përse ata njerëz jetonin akoma në atë vënd të humbur dhe nuk ja mbathinin një orë e më parë prej aty!

Takimi i parë me z. Adem Demaçi në Sofje

Ç’mendim kanë Shqiptarët e Shqipërisë për Shqiptarët e Kosovës?” – Më pyeti z. Adem Demaçi në një takim ndërkombëtar në Sofie. Unë ju përgjigja se kishte një xhelozi të caktuar dhe së shiheshin si jo serioz!

Në fakt, bëhet fjalë për ato vite të vështira ekonomike kur leku kishte vlera të njëjta me liretën Italiane dhe kur shumë prej nesh ndërsa dilnim jashtë shtetit kishim mundësinë të hanim vetëm një picë me rrogën e 15 ditëshit!

Kjo situatë specifike kish bërë që në Shqipëri të shfaqeshin lloj, lloj investitorësh nga e gjithë bota të cilët vinin për të përfituar nga situata e varfër ekonomike në të cilën mund të investohej me fare pak para dhe ndoshta të fitoheshin shumë.

Në ato vite, përveç të tjerash, ata pak Shqiptarë të Kosovës që kishin ardhur në Shqipëri me pak kursime të hollash mund të bënin një biznes dhe të punësonin disa qytetarë të Shqipërisë. Padyshim disa prej tyre kishin shfaqur edhe mungesë korrektësie ndaj këtyre të fundit, por personalisht besoj se kjo nuk ishte gjithshka. Përveç tyre kishte edhe investitor të tjerë jo Shqiptarë të cilët nuk ishin aspak ndryshe nga ata Kosovarë, por ndaj tyre nuk gjykohej në të njëjtën mënyrë dhe shiheshin ndryshe!

“Ndoshta fakti që jemi nga i njëjti Komb dhe ata qytetarë Kosovarë që kanë ardhur në Shqipëri janë më të pasur se ne, pavarësisht se nuk janë më të zotët, kjo sjell një konflikt psiko-social midis nesh” – i thashë z. Demaçi!

“Po ata Italianë që kanë investuar në Shqipëri ju duken më të zotët juve?” – më pyeti me të drejtë z. Demaçi!

Përgjigja sigurisht ishte që jo! Por, padyshim që ai dialog më bëri të reflektoja gjatë në lidhje me faktin pse përgjithësisht Shqiptarët në mënyrë iracionale nuk kanë të njëjtin qëndrim ndaj investitorëve që vinin në Shqipëri, pavarësisht se ishin Shqiptarë apo të huaj!

Besoj se ky dialog midis z. Demaçi dhe meje për sejcilin që ka jetuar ato vite dhe lexon realitetin edhe te sotëm në mënyrë racionale simbolizon shumë dhe tregon iracionalitetin e kësaj kulture ndaj së cilës duhet reflektuar pa dyshim.

Padhyshim që ky lloj steriotipi iracional Shqiptar karshi të huajve është më i vjetër se ardhja e pluralizmit në Shqipëri dhe besoj se mjafton të lexohet njohësi më racional i natyrës konfuze të Shqiptarëve Faik Konica i cili ka mundur të zbërthejë në mënyrën më të mirë të mundëshme konfuzitetin tonë psiko-kulturor.

Por, për hir të së vërtetës duhet thënë se për fat keq ky steriotip i yni vazhdon të mbijtetojë në formë tradite, sigurisht më pak ndryshime modeste, edhe në ditët e sotme moderne të Shqiptarëve dhe padyshim nevojitet ta shtjellojmë edhe me shkrimet a ardhshme.

Share: