Home KRYESORE Kush po ndryshon? Ne konservatorët apo liberalët dhe homoseksualët?! Historia ime…

Kush po ndryshon? Ne konservatorët apo liberalët dhe homoseksualët?! Historia ime…

Nga Altin Bamllari

Në një nga portat dalëse të aeroportit ndesh Aleksin (që të shmang ndonjë keqkuptim, s’po ia them emrin e vërtetë). Të dy për në të njëjtin destinacion. Aleksi është rreth të tridhjet e pesave, shtatlartë dhe me një rrip dhjami të hollë përqark mesit. Mban syze të mëdha optike, në qafë varëse floriri me kryq, disa unaza nëpër gishta e plot xhinglamingla shumëngjyrëshe si byzylykë. Aleksi është mjek, ka klinikën e vet, ndërkohë që është specializuar edhe për ndërhyrje të lehta estetike.

Herën e parë që e takova më vuri pëllëmbën delikate mbi lëkurë, por nuk më bëri dot klient. Unë e qesëndisa, duke ekspozuar veten arkaik në sytë e shoqërisë së tij. Se.., që thoni ju, Aleksi ka njohje të mëdha, sidomos me zonja dhe zonjusha VIP. Para tyre shfaqet si një magjistar. Fjala vjen, kokrrën e pjeshkës, harruar në frigorifer, ai e shndërron sikur të qe e pakëputur në pemë.

Ai udhëton shpesh. Thotë që bën vazhdimisht trajnime jashtë. Zotëron disa gjuhë, pashaporta dhe leje qëndrimi. Është edhe gay.

Aleksi është tip. Nuk e mundojnë komplekset. Ka humor, gjë që e bën të këndshëm në tavolinë. Njohja me të më ka bërë të ndryshoj qëndrim ndaj homoseksualëve. I kam fshirë paragjykimet dhe kjo më bën të ndihem “modern”. Gabim! Të jem njerëzor. Jo se kam qenë kafshë, por kokëfortë e i vrazhdë në konservatorizmin tim, po. Megjithëse fjala BQ vazhdon të më shpëtojë në zhargonin e përditshëm, qëndrimet e mia kanë ndryshuar.

Nejse… U zgjata shumë. Futemi në avion. Aleksi zotëron një biletë të mirë, të cilën e ka siguruar me ndihmën e një menaxheri LGBT në aeroport (kështu më tha më vonë), po ashtu dhe unë, nëpërmjet një mikut tim të vjetër të Universitetit. Pasi zemë vend, një djalë hazgan kockëtrashë, hundën me hark e me nofulla të kërcyera, më prek në sup. -O vllai, a ndërrojme vend se plasi ajo pjeshka për ty? Unë kthej kokën dhe shoh Aleksin që më fton të zë vend në sedilen ngjitur tij.

Hezitoj një çast, por has në padurimin dhe një lloj nervozizmi të djaloshit gjysmëbiond me theks verior. Aleksi buzagaz ma bën me dorë, ky lloshi me shikon tërë inat. E ndaj mendjen dhe çohem. Mbledh sendet e mia, i hedh një vështrim turfullues hazganit dhe si ato gazrat pa dashje më shpëton fjala BQ. M’u duk sikur të njëjtën gjë pëshpëriti nëpërdhëmbë edhe ai.

Trëndafil në fytyrë, ulem pranë Aleksit shend e verë. I sikletosur nga piruetat e zërit të tij, filloj t’i bëj pyetje sikur nuk e njihja mirë. Ndjenja kompleksiteti dhe paragjykimesh ngjiten nga thellësia e nëndergjegjes e më shpërthejnë nëpër deje. Nuk ndihem rehat. Ç’ne? Unë sikur i kisha flakur tej! Djersë të ftohta më kaplojnë dhe ato pak vështrime kureshtare majtas-djathtas më duken si njëqind palë sy. Nxjerr librin, vë kufjet dhe, njëlloj i vrazhdë e i paedukatë si dikur, shkëput bisedën si me çelës. Aleksi nuk e bën veten dhe shtiret sikur fle.

Mbas nje ore jam qetësuar. Për inat të botës, ia nis kuvendimit me mikun tim Aleks. Qesh me zë me historitë e tij. E pyes e më tregon që Tirana ka shumë gay. Aq shumë sa s’ma rrokte mendja kurrë. Njerëz që në publik nuk gjejnë guximin të pranojnë identitetin e tyre. Mes tyre plot gazetarë, drejtues të njohur emisionesh televizive, politikanë, biznesmenë, shkrimtarë e deri edhe gardistë.

-Plako, qënkeni shumë, -i them. -Po, pohon ai me kokë. Jemi shumë BQ-ra, siç thua ti e ma mbyll syrin.

Koha kalon dhe avioni ulet në tokë. Në stacion Aleksin e pret një shoqe, mua ime bijë. Diku në një stol dy vajza ngjeshur fort pas njëra-tjetrës puthen me gjuhë. Bota po ndryshon. -Aleks, nëse një ditë bëheni shumicë, të paktën mos na paragjyko! Aleksi nënqesh e duke u ndarë më pëshpërit në vesh: Bota është njëlloj. Konkluzionet e tjera nxirri vetë. Tung!

Kush po ndryshon? Ne kondervatorët apo liberalët?!

Share: