Libër i ri në libraritë e Tiranes. Një ide të qartë mbi përmbajtjen e sjell parathënia e shkruar nga Remzi Lani*
Besoj se kam qenë ndër botuesit e parë të Robert Goros; fillimisht të krijimeve të tij letrare dhe më pas të reportazheve nga Himara. Ato ishin mjaft të shpeshta, saqë në një farë mënyre, e kthyen Goron në një korrespondent jozyrtar të “Zërit të Rinisë” në bregdetin jugor të vendit.
Mbaj mend se në shkrimet e Goros historia dhe gjeografia e Himarës mplekseshin natyrshëm, ashtu si imazhet e kthjellta të Mesdheut përziheshin me konturet e maleve ballkanike përkarshi.
Gjithsesi, këto kujtime nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë dhe ndoshta nuk kanë ndonjë rëndësi për hyrjen e shkurtër të këtij libri. Ky është një libër për Radion; më saktë për gazetarinë e radios, e cila është ndoshta gazetaria më e nënlevftësuar në Shqipëri. Për të qenë më të saktë, ky është një libër për radiot që gjatë çerekshekullit të fundit kanë transmetuar në gjuhën shqipe, duke mbajtur gjallë këtë degë të gazetarisë; dhe më shumë se kaq, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm në pasqyrimin e jetës shqiptare gjatë kësaj periudhe të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.
Në më shumë se 200 faqet e librit të tij, Robert Goro tregon para së gjithash historinë e BBC në gjuhën shqipe, që për të është sigurisht edhe një histori personale. Si një nga gazetarët e BBC në Shqip, Goro sjell dëshmi interesante të punës së tij dhe të ekipit shqiptar të BBC gjatë krizës së vitit 1997. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të censurës zyrtare, mes rreziqesh dhe kërcënimesh të shumta, BBC në Shqip u bë burimi i pazëvendësueshëm i informacionit për publikun në Shqipëri gjatë atyre javëve dramatike.
Po ashtu, një faqe tjetër e paharruar e BBC në Shqip është mbulimi nga ekipi i saj i Luftës së Kosovës; mbijetesa e ekipit kurajoz të gazetarëve të Prishtinës në kushtet e dhunës dhe censurës së regjimit të Milosheviçit, raportimi i bombardimeve të NATO-s dhe i eksodit biblik të shqiptarëve. Ndërthurja e historive personale të gazetarëve të BBC me historinë e gjithë shqiptarëve, jo vetëm që e bëjnë më interesante dëshminë e Goros, por e bëjnë atë edhe më të besueshme.
Sigurisht, kjo dëshmi do të ishte e paplotë pa historinë e konfliktit në Maqedoni, pa zërin e Ali Ahmetit dhe të luftëtarëve të tij, pa nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, ngjarje të cilat BBC në Shqip do t’i përcillte besnikërisht për dëgjuesit kudo në botë.
Përmenda më lart vetëm tre momente, që përbëjnë kapituj të rëndësishëm të librit të Robert Goros dhe besoj se kjo është e mjaftueshme për të arritur në përfundimin se autori ka mundur të na japë dy kronika paralele. E para është kronika e punës së vështirë të një ekipi gazetarësh gjatë një tranzicioni kompleks dhe dramatik, kur rrëzohen shtete dhe regjime dhe Ballkani shndërrohet në teatrin e konfliktit më të përgjakshëm në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
E dyta, është në fakt, vetë kronika e këtyre ngjarjeve, që vjen nga një gazetar dhe kolegët e tij.
Gjithsesi, ky libër nuk është as vetëm një histori shqiptare apo ballkanike, dhe as vetëm një libër për BBC-në.
Me ndershmëri profesionale dhe pa as më të voglën xhelozi, autori i kushton faqe të librit historisë dhe rolit të Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe; radio që luajti një rol të jashtëzakonshëm në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe që vazhdon edhe sot të jetë një kronikane besnike e gjithçkaje që ndodh në hapësirën shqiptare. Po ashtu, nuk heziton të shkruajë për kontributin e Deutsche Welle ne Shqip, si një zë i rëndësishëm që vjen nga vendi më i fuqishëm i Europës dhe që ka mundur të depërtojë tek dëgjuesit dhe shikuesit shqiptarë, pavarësisht numrit të madh të mediave vendase.
Ndër faqet më interesante të këtij libri janë pa dyshim ato që i kushtohen Radios Europa e Lirë. Autori i largohet qëllimisht Ballkanit për ta çuar lexuesin larg, në Pakistan, Afganistan apo Azerbajxhan, duke shpalosur histori kolegësh që raportojnë nën kërcënimin e ekstremistëve, apo nën censurën e diktatorëve.
Duke iu kthyer asaj që thashë në fillim, se ky është një libër për radion, ndoshta do të duhet të bëj një korrigjim. Ky është më shumë një libër për të vërtetën. E kam fjalën për të vërtetën si arsye të ekzistencës së vetë gazetarisë. Sot, kur debati për atë që u shpall si fjala e vitit 2016 – post truth -, i ka përfshirë të gjithë, ky libër i shkruar me elegancë nga një gazetar i racës, na sjell dëshmi të panumërta të gazetarëve që kërkojnë të vërtetën, që rrezikojnë për të vërtetën, që raportojnë të vërtetën. Në këtë kuptim, unë besoj se libri i Goros kontribuon në këtë debat, duke shërbyer edhe si një manual për marrëdhëniet e gazetarisë me të vërtetën.
Remzi Lani
Post-truth = “Pas të vërtetës” – sipas Fjalorit të Oksfordit që e përzgjodhi në nëntor 2016 si fjalën e vitit, termi i referohet situatave kur fakte dhe ngjarje objektive kanë në formësimin e opinionit publik, ndikim më të vogël se sa revokimet emocionale apo pikëpamjet personale.
- Autori është drejtor i Institutit Shqiptar të Medias në Shqipëri