Diplomatja, ish-ambasadorja Alma Lama në Itali, ka reaguar pas rastit të pengimit të arritjes së njohjes nga Republika e Xhamajkës.
Në procesin kulminant të marrjes së njohjes nga ky shtet, ndodhi një ndërhyrje arbitrare, nëse jo e qëllimshme nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili e bëri publik, procesin, duke thyer kodin etik diplomatik, me çka ndodhi ndërhyrja e përnjëhershme e diplomacisë xhamajkiane, nga vetë shefja e diplomacisë së këtij vendi, duke thënë se njohja nuk kishte ndodhur.
Por, sipas njohësve të procedurave të diplomacisë, as ambasadorja Vlora Çitaku nuk duhej t’ia komunikonte këtë proces presidentit, pasi sipas detyrës, ajo mund t’i raportonte në Kosovë vetëm ministrit të Jashtëm, në këtë rast Glauk Konjufcës.
Në rikujtim të skandaleve diplomatike, znj.Lama, nxjerr në shesh një papërgjegjshmëri tjetër të presidentit Thaçi, kur bë vitin 2016, e kishte emëruar ambasadore për Seli të Shenjtë – Vatikan, zonjën Bukurie Gjonbalajn, ndërsa që ky shtet nuk e ka njohur Kosovën, as pasi kanë kaluar katër vjet.
“Ka edhe një skandal më të rëndë se ky i Xhamajkës. Ai ka qenë emërimi i një ambasadoreje në një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, konkretisht në Selinë e Shenjtë.
Ky shtet, edhe po të ketë pasur në mend ta njohë Kosovën, pas këtij veprimi të njëanshëm, të paparë e dëgjuar në marrëdhëniet diplomatike, për shkak të ofendimit, nuk ka pasur si ta njohë.
Jo madhësia, por serioziteti është thelbësor në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kredibiliteti po ashtu”, ka shkruar në Fb, Alma Lama, ish ambasadore dhe ish deputete, tani e doktoruar në marrëdhënie ndërkombëtare në Tiranë. /Gazeta SHQIPTARI.com