Home KRYESORE OFL “zbarkon” në Shijak, sekuestro për pronat e Altin Hajrit?

OFL “zbarkon” në Shijak, sekuestro për pronat e Altin Hajrit?

Në konferencën për shtyp me Presidentin e Parlamentit Evropian, shefi i qeverisë shqiptare njoftoi se agjentët e OFL (Operacioni Forca e Ligjit) ishin në terren. Nga nja studio televizive, po ashtu Rovena Voda, zv/ministrja e Brendshme tha se rezultatet e para do të dukeshin këtë pasdite.

Nisur dhe nga ngjarja e fundit, rrëmbimi dhe më pas vrasja e 49-vjeçarit Jan Prenga, për shkak të konflikteve të vëllezërve të tij për një sasi kokaine në Angli, efektivët e OFL kanë “zbarkuar” në kompleksin “Golden” pranë Shijakut. Ky kompleks është në pronësi të Altin Hajrit, një nga personat e shpallur në kërkim, për rrëmbimin e 49-vjeçarit.

Veç kompleksit “Golden” në listën për sekuestrim janë dhe tre shtëpi dhe 1 pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri.

Mësohet se paraditen e së hënës u është dorëzuar formulari dhjetra subjekteve që sipas aktit normativ, do të kenë kohë 48 orë për të justifikuar të ardhurat dhe si janë krijuar këto biznese, pasuri të paluajtshme dhe automjete.

Në bazë të informacioneve të mbledhura edhe nga drejtoritë në 12 qarqet e vendit, në policinë kriminale është krijuar edhe lista e personave që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe që kanë krijuar pasuri të jashtëligjshme.

Nga informacionet e para mendohet se janë rreth 250 subjekte të cilat do të kalojnë në filtrat e Operacionit Forca e Ligjit, dhe që kryesisht janë në qarqet më të mëdha të vendit.

Paketa ligjore mbi të cilën është ngritur kjo strukturë anti-KÇK, parashikon që për subjektet dhe bizneset të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë dhe të ardhurat, dosja e tyre do të shkojë në SPAK. Kësaj të fundit i jepet 15 ditë kohë, dhe 15 të tjera do i jepen Gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros./ Opinion.al

Share: