Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani ka njoftuar se pas testeve të bëra në Institutin Kombëtar, ka rezultuar se pacientja nuk është e infektuar me koronavirus.
Gjatë një konference të mbajtur sonte në mesnatë në IKSHPK, Ramadani ka thënë se pas tre testeve të kryera në laboratorin e Institutit Kombëtar, testet kanë dal negative.
Ajo u paraqit në klinikë rreth orës 17 duke u ankuar për kollë dhe lodhje, tri ditë pasi kishte marrë vesh lajmin se kishte skijuar pranë disa të infektuarve në Mont Blanc, Francë.
“Ne informatën e parë e kemi marrë nga vetë pacientja. Por Instituti Kombëtar ka pasur njoftime se në një qendër skijimi të Francës, pesë britanikë kanë qenë të konfirmuar pozitivisht dhe pacientja në këtë rast ka qenë në skijim në të njëjtën qendër, dhe ajo vetë është frikësuar në këtë rast, për shkak se ka qenë në qendrën e njëjtë të skijimit… Ne i kemi marrë rezultatet laboratorike për të tria, në mënyrë që të izolojmë çdo dyshim të mundshëm të koronavirusit dhe të gripit A ose B dhe të tria kanë rezultuar negativisht. Në këtë rast konfirmimi laboratorik, është konfirmimi përfundimtar”, tha ai.
Më herët vetë ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia doli në një konference urgjente për të qetësuar opinionin dhe sqaruar rastin ndërkohë që pacientja u izolua menjëherë.
Top Channel