Home KRYESORE Sa është pasuria e Drejtorit të Policisë së Shtetit?

Sa është pasuria e Drejtorit të Policisë së Shtetit?

Ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka dalë para komisionit të vetingut ku ka bërë deklarime në lidhje me pasurinë e tij.

Mësohet se Veliu në dorëzimet e tij ka deklaruar një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë euro i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa ka shtuar se ka paguar deri më tani 37 mijë euro.

Ndërkohë së bashkë me bashkëshorten e tij kryepolici ka deklaruar se jeton në një banesë me qera në Tiranë. Gjithashtu para komisionit të vlerësimit të pasurisë ai ka deklaruar edhe një kredi 5 milionë lekë, dhe të ardhura familjare. Mbi këto të ardhura, ai ka deklaruar 750 mije lekë të depozituara.

Ndërkohë ka edhe 5 mijë euro në bankë nga shitja e një automjeti. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 2 milionë e 400 mije leke te dhuruara nga prindërit dhe 800 mijë lekë, të ardhura nga paga. Mësohet se shuma e dhuruar nga prindërit për bashkëshorten e Veliut rezultojnë të ardhura nga një apartament i shitur në Vlorë, 61 m2, në pronësi të saj, ku sipas komisionit dhurimi është vlerësuar i ligjshëm.

Gjithashtu komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të efektivëve të policisë, bën me dije se ka përputhje të deklarimit të drejtorit të Policisë së Shtetit, me të dhënat e marra nga institucionet.

“Subjekti ka kryer deklarim të saktë në perputhje me ligjin. Nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk e ka fshehur pasurinë”, u shpreh komisioni.

Ndërkohë DSIK, në lidhje me figurën e kryepolicit thekson se Veliu është pajisur me certifikatë sigurie dhe nuk ka procedime penale për të. Nga verifikimet e kryera, nuk rezulton që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të ketë qenë i dënuar apo i përfshirë në Sigurimin e Shtetit.

Në vitin 2002 dhe 2003 dhe 2007 Ardi Veliu e ka ushtruar detyrën në Vlorë. Ka pasur informacione se ka qenë i lidhur me falsifikimin e vizave dhe ka favorizuar në kalimin e klandestineve. Por në denoncime nuk janë gjetur prova që të vërtetojnë përfshirjen e tij, raportoi komisioni i Vlerësimit.

Ndaj Veliut në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit ka pasur dy denoncime: Nga një person me argumentin se nuk ka mbajtur qëndrim korrekt në detyrë dhe një denoncim nga Sindikata e Punonjësve të Policisë./ Opinion.al

Share: