Nga Adela Kolea
Kisha një vëzhgim të shpejtë mbi shtypin shqiptar, për mënyrën e përcjelljes së një lajmi nga shtypi italian.
Lexoja nga Shqipëria:
“Gazetarja më acide e Italisë – Selvaggia Lucarelli – i vë notën 10 Alketës pas Sanremos.” 🤔
E fillon portali shqiptar, me një përkthim totalisht të gabuar nga italishtja:
Lucarelli thotë në realitet, italisht:
“Vejsiut jap notën 10, si dhjetë pikat e medikamentit qetësues kundër ankthit, Tavor, që asaj i dhanë të pijë pas ndërhyrjes së vet të parë në skenë.”
Shqipëria përkthen:
“10, si dhjetë pikat e ilaçit pas ndërhyrjes kirurgjikale!” 👀
Ngatërrojnë “ndërhyrjen skenike” me “ndërhyrjen kirurgjikale”.
Përtej kësaj, këtu në Itali pra, kemi një gazetare – nomen omen – “egërsirë”, në emër e fakte. Ajo quhet Selvaggia Lucarelli.
Më pëlqen stili i saj direkt e pa doreza në analiza, satira, sarkazma që përdor – i përdor relativisht edhe unë ato – ama, ajo është shumë më e egër se unë në këtë drejtim, e pamëshirshme.
Lexova në media shqiptare që në “dëftesat e Sanremos”, që gazetarja italiane formulon çdo vit pas eventit muzikor, Alketa Vejsiun e ka vlerësuar me notën 10.
Ndaj u bëra kurioze të lexoja opinionin real të Selvaggia-s mbi të, pasi ia njoh ironinë.
Kur e lexova, kuptova se shqiptarët njohin italishten në mënyrë automatike ndoshta por, jo sarkazmën.
Me pak fjalë, ajo notë 10 prej saj, është e patinuar me sarkazëm të mprehtë.
Ndaj edhe unë vetë i shkruajta Selvaggia-s që të “zbuste disi tonet” sidoqoftë.
Selvaggia Lucarelli mbi Alketa Vejsiun:
“I jap notën 10 pas performancës sanremeze, ashtu sikurse “10”, janë pikat e qetësuesit Tavor- medikament ndaj ankthit – që i dhanë të pijë pas performancës së saj të parë.
Prezantuesja shqiptare, mesa duket gjendet në Sanremo për shkëmbim pengjesh, ngaqë në Shqipëri kemi Wanna Marchi-n!
Ligjërata e saj e parë përmban të njëjtat rrokje me fjalimin e Benigni-t, vetëm se ajo e mbaron në dy minuta e i duhet të hipë e të zbresë shkallët e skenës për të shkarkuar tensionin e goditjen e adrenalinës.
“Pika më e lartë e karrierës sime!”- shprehet, pa e ditur ndoshta që do të degdisej në 90 minuta stage për çokollatën Nutella – ” retorikë e ëmbëlsime të tepruara” prej saj…- për dhjetë telefonatat e para në ekskluzivë, dhurojmë 100 kavanozë Nutella, një kavanoz kripe të ashpër dhe “një ambo secco”, të fitosh kombinimin e – ndërlikuar – të dy numrave në llotari!
“D’accordooo?” – Dakord? – përfundon me shprehjen cliché që karakterizonte ulërimën histerike të mashtrueses Wanna Marchi, kur realizonte shitjet televizive, për të cilat u dënua me burg…
Ndaj, them se “egërsira” Selvaggia, ia bëri t’i kushtojë rëndë ajo notë “10” Alketës.
Apo ishte vetë Alketa që nxiti këto lloj reagimesh?
Kushedi?!