Home KRYESORE Socialistët kërcënojnë magjistratët me pezullime mbi diskrecion

Socialistët kërcënojnë magjistratët me pezullime mbi diskrecion

Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me votat e socialistëve një numër ndryshimesh ligjore kontroverse të cilat pritet t’i japin të drejtë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të pezullojë gjyqtarët e prokurorët si dhe të zgjerojë një hetim disiplinor në hetim pasuror, pavarësisht se versione të mëparshme të këtyre propozimeve janë rrëzuar sakaq si antikushtetuese.

Komisioni i ligjeve miratoi ndryshmet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ndryshime të cilat dukshëm dobësojnë mbrojtjen ligjore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe fuqizojnë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë duke i shtuar atij kompetenca për verifikim të figurës dhe pasurisë, një hap që dublon procesin e vetingut që kryhet nga institucionet e posaçme të reformës, KPK dhe KPA.

Propozimi për ndryshimin e një prej ligjeve kyçe të reformës për drejtësi është bërë si nismë personale e tre deputetëve socialistë, Alket Hyseni, Adnor Shameti dhe Edmond Leka, të cilët argumentojnë se vendi ka nevojë që Inspektori i Lartë të Drejtësisë të ketë fuqinë ligjore të propozojë në KLGJ dhe KLP pezullimin e një gjyqtari apo prokurori, fuqi që aktualisht nuk e ka ndërsa deputetja tjetër Klotilda Bushka ka shtuar propozimin për zgjerimin e një hetimi administrativ disiplinor në fushën e pastërtisë së figurës dhe pasurisë.

Po ashtu në ligj i është dhënë e drejtë ILD-së të kërkojë informacion nga çdo institucion në vend mbi pasurinë dhe figurën e gjyqtarit e prokurorit dhe t’i përdorë ato në hetimin e nisur apo për ta ndryshuar hetimin.

Sipas Klodilta Bushkës, ILD duhet të ketë fuqinë për pezullimin e magjistratit “në rast urgjence dhe në rast të shkeljeve flagrante”. Bushka dha për këtë shembullin e prokurorit Arjan Ndoja, i cili u qëllua me armë në një atentat në Durrës ndërsa ishte në makinë me një person me probleme penale.

Anti-KÇK anti-kushtetuese

Shqipëria ka një histori të gjatë të mbrojtjes ligjore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj ndërhyjres së pushteteve të tjera, mbrojtje që argumentohet se ishte përgjegjëse për mungesën e llogaridhënies dhe dyshimet për korrupsion sistemik që justifikuan ndërhyrjen në sistem përmes Reformës në Drejtësi dhe Rivlerësimit Kalimtar që po zbatohet aktualisht.

Por kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të qeverisë kanë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme gjyqtarë e prokurorë të veçantë apo në përgjithësi për një numër shkaqesh, përfshirë ankesa se rrëzojnë aktet e qeverisë apo se ngrenë akuza ndaj zyrtarëve të shtetit.

Dhjetorin e kaluar, Rama kërcënoi me miratimin e një të ashtuquajture “paketë anti-KÇK”, përmes të cilës ai dëshiron të lehtësojë pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve para se këta të fundit të përballen me procesin e vetingut, por propozimi i bërë nga Bushka duket se shkon më tutje pasi edhe gjyqtarët e prokurorët që e kanë kaluar me sukses vetingun, mund t’i nënshtrohen një procesi të dytë pas dyshimeve që mund t’i lindin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Inspektori aktual i drejtësisë është Artur Metani, i cili është një jurist me eksperiencë të gjatë dhe që ka shërbyer si këshilltar për dy presidentë. Por Metani është gjithashtu një figurë e akuzuar nga opozita si person i lidhur ngushtë me shumicën socialiste si dhe me vetë kryeministrin Edi Rama, në administratën e së cilit ka shërbyer gjatë viteve të fundit. Pikërisht z. Metani do të ketë fuqitë shtesë të hetojë gjyqtarë e prokurorë jo vetëm përmes instrumentit të procedimit disiplinor por edhe për sa i përket dyshimeve se një magjistrat mund të ketë lidhje me krimin e organizuar apo se mund të ketë prona me burime financiare të pajustifikueshme.

Problemi tjetër është që Gjykata Kushtetuese në vitin 2017 shfuqizoi disa klauzola ligjore që bënin pikërisht këtë që propozohet nga socialistët aktualisht, pezullimin e magjistravëve mbi diskrecion dhe pa u shqyrtuar procedimi disiplinor.

Pyetur nga BIRN Bushka tha se nuk shihte ndonjë konflikt mes vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017 dhe propozimit aktual dhe se sipas saj, propozimi nuk dublon organet e vetingut. Sipas saj, ILD do t’i përdorë informacionet për të “për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit” të nisur.

Kompetencat shtesë për figurën e pasurinë

Paketa e propozuar e ndryshimeve që u nis fillimisht për nxjerrë jashtë loje Presidentin e Republikës, pas përplasjes në lidhje me dekretimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe ceremoninë e betimit të tyre, u shtua rrugës me një sërë ndryshimesh që parashikonin fillimisht edhe kompetenca shtesë për Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Në versionin e mëparshme të ndryshimeve përfshihej ndër të tjera nevoja që KLGJ dhe KLP të kryenin vetë hetime disiplinore dhe të merrnin vendime ndaj gjyqtarëve, deri 6 muaj pas ngritjes së ILD-së. Por në Komisionin e Ligjeve kjo pjesë e propozimit është tërhequr për shkak të fillimit të punës së ILD-së, ndërsa kësaj të fundit iu shtuan kompetenca.

Kështu neni 124/1 që i shtohet ligjit 96/2016 i jep të drejtë ILD-së, pavarësisht arsyeve se përse mund të ketë filluar një hetim disiplinorë ndaj një magjistrati, ta zgjerojë atë pafundësisht duke mbledhur informacione mbi pasurinë dhe figurën.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë brenda një jave nga vendimi për fillimin e hetimeve, sipas nenit 123 dhe 124, të këtij ligji, kërkon informacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokuroria, Policia e Shtetit, organet e administratës tatimore dhe doganore, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës të magjistratit si dhe çdo institucion tjetër kompetent për verifikimin e pasurisë dhe të figurës në lidhje me çdo shkelje tjetër disiplinore”, thuhet në ligj. Ligji po ashtu detyron të gjitha institucionet publike apo private t’i përgjigjen ILD-së brenda një afati të përcaktuar nga Inspektori.

E pyetur nëse ky hetim ndaj pasurisë dhe figurës në kohën që vijon procesi i vetingut do të dublonte këtë të fundit, Bushka tha se qëllimi ishte i ndryshëm. Sipas saj pika 4 e këtij neni qartëson se për çfarë bëhej fjalë. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë në rast se nga verifikimi i pasurisë dhe figurës rezulton se ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e ndonjë shkelje tjetër disiplinore, përveç rastit kur shkelja përbën vepër penale, merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit sipas përcaktimeve të nenit 125 të këtij ligji”, thuhet në pikën 4.

Bushka tha se kjo do të ndihmonte ILD-në të thellonte hetimet. Por nga ana tjetër propozimi i jep ILD-së pushtet shtesë për të kontrolluar me imtësi jetën e një magjistrati, ndërkohë që përndryshe nga institucionet e vetingut ai nuk i nënshtrohet as mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe as ka detyrime të ngjashme të transparencës.

Ngjashëm si akti normativ Anti-KÇK këto ndryshime në ligj nuk janë diskutuar më parë publikisht. Madje ky ndryshimi i fundit, i cili i jep ILD-së kompetenca shtesë për hetimin e pasurisë dhe figurës, rezulton se është përfshirë vetëm gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve dhe nuk ka qenë pjesë e propozimit fillestar dhe nuk ishte publikuar në faqen e Kuvendit. Këto propozime u pritën me skepticizëm edhe brenda radhëve të shumicës, ndërsa ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa dhe deputeti Bashkim Fino kërkuan që ndërhyrjet të ishin të analizuar mirë.

Dyshime për anti-kushtetuetshmëri dhe rikthimi te pezullimi me diskrecion

Shtesë  në ligj, që sipas Bushkës lidhet pikërisht me nismën “Anti-KÇK”, është propozimi për të mundësuar pezullim me urgjencë të magjistratit bazuar “mbi informacione të besueshme”.

Sipas projektligjit ILD mund të nisë një hetim paraprak mbi bazë dyshimesh të arsyeshme se qenia e magjistratit në detyrë “dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit”. Por në këtë rast ILD nuk heton magjistratin, por i duhet të krijojë bindjen mbi burimin e informacionit. Nëse ky rezulton i besueshëm, që lihet në tagrin e ILD-së, “brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar i paraqet Këshillit përkatës, raport të arsyetuar për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra”.

Me procedurë po kaq të përshpejtuar KLGJ apo KLP duhet të marrin një vendim për pezullimin ose jo të magjistratit. Këtij të fundit i lejohet të bëjë mbrojtje dhe të japë argumentet e tij. Por pezullimi mund të rrijë në fuqi deri në marrjen e një vendimi mbi procedimin disiplinorë nga një prej Këshillave.

Projekti thotë po ashtu se procedimet e tjera të nisura jo sipas këtij neni ndjekin një rrugë normale dhe nuk ndikohen prej tij.

Por vetë relacioni i publikuar në faqen e Kuvendit mbi këtë projekt hedh hije dyshimi mbi kushtetutshmërinë e tij. Në relacion pranohet se një nen i ngjashëm, u gjet antikushtetues në vitin 2017.

Për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit Kushtetuta ka parashikuar se pezullimi i gjyqtarëve mund të bëhet vetëm në tre raste: “kur ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje; c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit”.

Diferenca mes pezullimit me diskrecion dhe pezullimit mbi procedimin disiplinorë ka të bëjë sipas relacionit me faktin se për këtë të dytin do duhet të bëhen hetime që mund të zgjasin deri në 1 vit.

Por ndërsa fillon me citimin se se ligji që kishte “parashikuar mundësinë e pezullimit diskrecional të magjistratit përpara fillimit të një procedimi disiplinor” ishte shfuqizuar me vendimin nr. 34/2017 të Gjykatës Kushtetuese, në relatim thuhet se pezullimi nga detyra bazuar në të dhëna thelbësore për shkelje të rënda ishte i rëndësishëm për të rikthyer besimin e publikut te drejtësia. Po ashtu aty thuhej se kjo duhej të bëhej më shpejt se sa 12 muajt që mund t’i duheshin një hetimi.

Në fund të arsyetimit në kontradiktë me fillimin e tij në relacion rikthehet nevoja për masë në diskrecion, pavarësisht se kjo ishte gjetur antikushtetuese. “Për të evituar këtë mundësi, ndryshimet e propozuara si më poshtë parashikojnë mundësinë e këshillave përkatës (KLGJ/KLP) që të vendosin lidhur me pezullimin mbi bazë diskrecionare të magjistratit të përfshirë në një procedim disiplinor që në momentin e fillimit të hetimit  disiplinor”, thuhet në relatim.

Bushka pranoi se relatimi ishte evaziv dhe krijonte konfuzion, ndërsa pretendoi se me ndryshimet e bëra projekt ligji në fjalë nuk ishte më antikushtetues. Ajo tha se kjo dispozitë ishte e nevojshme për të mundësuar ndërhyrje urgjente dhe flagrante, ndërsa iu referuar rastit të një prokurori ndaj të cilit u bë atentat ndërsa ishte në makinë më një të dyshuar për krim të organizuar, një shkelje e rëndë disiplinore. “Bëhet fjalë për pezullim kur fakti është i dukshëm botërisht”, tha ajo.

Betimi me letër

Ndërkohë ndërhyrjet po ashtu kanë marrë përsipër të zgjidhin ngërçin e betimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke u nisur prej përplasjes së fundit mes Presidentit dhe shumicës parlamentare mbi dekretet për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Pavarësisht parashikimit në Kushtetutë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën vetëm pas betimit para Presidentit të Republikës, projektligji parashikon t’ia heqë këtë kompetencë në rast se Presidenti nuk e organizon ceremoninë e betimit brenda 10 ditëve.

Ky propozim ka të bëjë me përplasjen e fundit mes Presidentit Ilir Meta dhe shumicës pas dekretimit nga Meta të Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Kuvendi cilësonte të emëruar Arta Vorpsin.

Meta që organizoi ceremoninë e betimit, e cila shënohet në Kushtetutë si momenti i marrjes së detyrës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ftoi në ceremoni Xhaferllarin dhe jo Vorpsin. Kjo e fundit nënshkroi formulën e betimin në prani të një noteri dhe ia dërgoi Presidentit, por zgjedhja nuk u pranua. Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk ka numër të mjaftueshëm anëtarësh për të vendosur mbi këtë përplasje, pranoi si anëtare Xhaferllarin duke lexuar drejtpërdrejt Kushtetutën.

Projekti teorikisht duhet të shmangë një përplasje të tillë në të ardhmen duke i hequr Presidentit dhe vetë Kuvendit mundësinë që të mos organizojnë ceremoni të betimit, por sipas një opinioni të Këshillit Shqiptar të Helsinkit është po ashtu i dyshimtë për antikushtetuetshmëri.

KShH thotë se ligji nuk mund t’i heqë Presidentit kompetenca që ja jep Kushtetuta dhe se betimi nuk mund të cilësohej vetëm si një akt ceremonial. Po ashtu KShH thotë se përplasja e kompetencave nuk ka pse kthehet në nevojë për ligj të ri, pasi mund të pritet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Shumica u tërhoq nga një pjesë e propozimit mbi betimin, sipas të cilit Vorpsi mund të kryente sërish betimin bazuar në këtë ligj të ri përmes një letre për Presidentin, pasi rasti në fjalë është dërguar për opinion në Komisionin e Venecias./ Burimi: Reporter.al

Share: