Home KRYESORE Takimi me delegacionin e Venecias, paralajmërimi i Bashës për mazhorancën

Takimi me delegacionin e Venecias, paralajmërimi i Bashës për mazhorancën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë prej ditës së djeshme për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në mbyllje të takimit, Basha e ka cilësuar atë të frytshëm teksa ka shtuar se vendi është në kolaps total, pasi sipas tij të drejtat e qytetarëve janë të kërcënuara.

“Takimi me ekspertët ishte i frytshëm. Shqipëria është në krizë kushtetuese dhe politike. Këto janë lëvizje të çoroditura të një pushteti. Po merren masa për kapjen e drejtësisë. Kjo ka çuar vendin në kolaps total. E drejta e qytetarëve është e kërcënuar. Republika e Shqipëria nuk është e qytetarëve, por e oligarkëve. Sot ata kanë kapur shtetin”, tha Basha.

I pyetur në lidhje me faktin që mazhoranca nuk e mbështet kërkesën e opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, Basha paralajmëroi se:

“Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugë një zgjidhje politike për shqiptarët. Nëse ata do të vazhdojnë të përdorin në mënyrë të paligjshme paratë e pista dhe të vendos interesat e pushtetit të vet dhe të oligarkëve kundër qytetarëve, atëherë opozita dhe qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqëria europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.”

Delegacioni i opozitës përbëhej nga Basha, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi dhe ish deputeti Oerd Bylykbashi.

Ndërkaq, anëtarët e Komisionit të Venecias vijojnë takimet faktmbledhëse për çështjen e emërimit të gjyqtarëve dhe ngërçin politik që u krijua me mos emërimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi nuk u njoh si e përzgjedhur nga presidenti.

Gjatë ditës së djeshme në Tiranë ata u takuan me kryeparlamentarin Ruçi, komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit, Presidentin e Republikës dhe Vorpsin.

Për këtë çështje, por edhe paketën e ligjeve antishpifje, Komisioni i Venecias pritet të publikojë vendimin më 20 mars./Opinion.al

Share: