Home KRYESORE Haris Vongli: Nisma e pedagogëve dhe studentëve që të rinjtë të mos...

Haris Vongli: Nisma e pedagogëve dhe studentëve që të rinjtë të mos e braktisin Shqipërinë

Mos e braktisni Shqipërinë! Kjo është nisma më e fundit e ndërmarrë nga një grup studentësh dhe pedagogësh në Universitetin e Tiranës, në mënyrë që të bëhen tentativa për të ndaluar largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.

Për të folur lidhur me këtë nismë kanë qenë në studion e lajmeve të Fax News mëngjesin e sotëm pedagogia e universitetit të Tiranës, Haris Vongli, e cila u shpreh se ka një largim masiv dhe të vetë studentëve, duke ndikuar jo vetëm në uljen e numrit të tyre në auditor, por edhe në cilësinë e brezave që po rriten.

Sipas saj, ky është problemi më i madh kombëtar dhe hapi i parë që kanë ndërmarrë është sensibilizimi i të rinjëve për t’u mos u larguar.

“Në një bllok, që është specifik për studentët, mbaj çdo ditë, sa herë që kam mësim, evidenca dhe vërej se në auditore ka më shumë vajza sesa djem. Së pari, ne jemi një shoqëri patriarkale, pra jemi një shoqëri që mashkulli ende konsiderohet si shtylla e familjes dhe për rrjedhojë janë meshkujt ata që zgjedhin të parët të largohen nga Shqipëria  në një moshë fare të vogël. Jo vetëm që janë larguar, por ky është momentalisht problemi më i madh kombëtar, pra është një alarm kombëtar shpopullimi dhe nuk është aspak demagogji, nuk është aspak patologji është vërtet prandaj ne jemi këtu dhe e themi çdo ditë në auditor që është në dorën tonë për të vendosur që të qëndrojmë. Pra ky është hapi parë, sensibilizimi i shqiptarëve kudo që janë” – u shpreh Vongli.

Më tej, ajo u ndal dhe te problematike e lindjeve të pakta e cila përbën dhe kjo një problem të madh për shpopullimin e vendit.

“Shqiptarët po ikin për shume arsye ekonomike, sociale por ajo që vihet re dhe është problematike me shifra, e publikon gjithmonë INSTANT, kemi një rënie të numrit të lindjeve. Në tre mujorin e tretë të vitit 2019 kemi 800 fëmijë më pak sesa tre mujori i parë i 2018. Në raport me vitet më parë ka një numër lindjesh më pak që tregon se vërtet Shqipëria po shpopullohet. Numri i lindjeve është zvogëluar dhe ky përbën shumë problem. Sigurisht janë një sërë faktorësh pse shqiptarët zgjedhin dhe jam e bindur jo me dëshirë të bëjnë pak fëmijë sepse ne jemi një komb që familjen e kemi shumë të shtrenjtë edhe jemi një komb që edhe në kohë të varfëra ose më sakt në kohë më të vështira kemi bërë fëmijë më shumë. Janë një sërë arsyesh që shqiptarët kanë zgjedhur të lindin më pak fëmijë për arsye të varfërisë, për arsye të ekonomisë, për arsye sepse një familje e re, një çift i ri është të paktën nga 10 çifte, gjashtë me statistika ndahen, shkëputen nga njëri tjetri sepse janë meshkujt ata që emigrojnë, që zgjedhin të shkojnë në vendet më të zhvilluara” -u shpreh pedagogia.

Ajo tha se të parët që zgjedhin nga Shqipëria, janë të rinjtë dhe problemtaika qëndron se shumica detyrohet të largohen për shkak se vijnë nga familje shumë të varfëra. Sipas saj, ajo që u mungon auditoreve të shkollave është mungesa e shpresës dhe puna e grupit është sensibilizimi, thirrja dhe motivimi i çdo të riu që është këtu.“Të parët që zgjedhin të ikin janë të rinjtë, pasi kanë energjinë e duhur, kanë guximin, nuk flas vetëm për të rinj që graduohen në Tiranë dhe zgjedhin të shkojnë jashtë shtetit për t’u punësuar, janë të rinj nga gjimnazet e rretheve të Shqipërisë që zgjedhin të ikin për t’u edukuar por ka dhe raste nga ato që vijnë nga familjet shumë të varfëra  që largohen për të punuar që në moshë minorene, pra që në moshë 17 deri në 18 vjeç që është ajo mosha më shqetësuese në fakt që të rinjtë largohen. Do të ishte mirë që të largoheshin për arsye studimi, por në fakt largohen që në moshë të vogël edhe për të punuar. Është shumë shqetësuese, megjithëse neve bëjmë gjatë gjithë kohës me gjithë shpirt, japim kontributin tonë që jo vetëm t’i bëjmë thirrje që të qëndrojnë në Shqipëri sepse të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri ti duhet të merresh me edukimin e tyre, duhet të merresh me përpunimin e tyre në moshën që ata janë gjatë gjithë kohës diskutojmë jo vetëm lëndën që ne japim, por ne flasim me ta mbi natyrën njerëzore. Është shumë e rëndësishme që ne të analizojmë cilët jemi, çfarë kemi qenë, çfarë jemi sot dhe çfarë neve mund të bëjmë dhe ndër gjithë misionin që neve kemi marrë përsipër, i bëjmë thirrje atyre të qëndrojnë sepse në fakt jo vetëm ne e ndiejmë që shqiptarët po ikin, por dhe të rinjtë e ndjejnë qe shqiptarët po ikin, pasi po iu ikin shokët dhe shoqet e tyre. Kemi dhe lëvizje demografike brenda Shqipërisë, banorë që lëvizin nga zonat rurale drejt zonave urbane dhe kemi problem shumë të madh zonat në veri që po shpopullohen.

Ne e dimë shumë mirë që në shumë fakultete janë mbyllur degë të caktuara pasi nuk ka mjaftueshëm studentë dhe pedagogët nuk e marrin përsipër mësimdhënien e tyre. Kjo afekton në mësimdhënie në lëndët që trajton, tek e ardhmja e tyre.

Ne jemi në hapat e para, sepse jemi të parët që e ndjejmë. Sigurisht, rutina, jeta të merr përpara, ne bëjmë atë rutinën tonë të përditshme shkojmë në auditor. Nuk është problem qe student ankohet që po i ikën shoku/shoqja e fëmijërisë apo kushëriri nga zonat që ata vijnë, por ne shohim që auditor janë pushtuar nga një mungesë shprese dhe tani ne nuk kemi çfarë të bëjmë me atë pjesë shqiptare që kanë ikur pavarësisht se i bëjmë thirrje atyre, por puna jonë më e madhe është sensibilizimi, thirrja dhe motivimi i çdo të riu që është këtu. Ne kemi student, që familjet e tyre po marrin masa që fëmijët e tyre të largohen” – u shpreh Vongli.

Pedagogja u shpreh se kjo nismë synohet që të shtrihet në të gjitha universitetet e vendit, dhe në trevat shqiptare, në mënyrë që të ketë një ndërgjegjësim sa më të madh dhe të institucioneve që të punojnë për të mbajtur në atdhe pjesën më vitale të një shoqërie që janë pikërisht studentët dhe të rinjtë./boldnews.al/

Share: