Home Gjeo-Ekonomia Tërmeti administrativ si shpëtimtar i 1.15 miliardë eurove

Tërmeti administrativ si shpëtimtar i 1.15 miliardë eurove

Nga Besart Kadia 

Si qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe si ekonomist, ndjeva kënaqësi që Shqipëria jonë mundi të gjejë financim prej 1 miliardë eurosh për rindertimin e pasojave shkatërruese të tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Por, dy ditë më pas të gjithë janë duke pyetur se cfarë janë këto para dhe a do të ndikojë në ekonominë vendase? 

Bazuar në historinë e dhimbshme të Shqipërisë, skepticizmi duket se ka arsye të jetë i lartë. Shumë prej nesh pyesin se, a nuk është rritur borxhi publik me më shumë se 1 miliardë euro gjashtë vitet e fundit, por pak rezultat ka patur për xhepat tanë? A nuk u premtua paketa 1 milardë euro e investimeve publike, por që u shkërrmoqën nga akuza pafund korrupsioni dhe shpërdorimi? A nuk janë rritur taksat çdo vit për qytetarët dhe bizneset, por ndërkohë buxheti shtetit sërish lëngon në mungesë të ardhurash? A nuk u dhanë leje ndërtimi të parregullta nga vetë përfaqësuesit e kësaj mazhorance që sollën këto pasoja? E si të mos mjaftonin këto pyetje, a nuk morri mazhoranca një notë negative nga Transpernacy Interntional përsa i përket korrupsionit?

Skeptikicizmi publik ngre pikëpyetje për vetë faktin se ne akoma nuk dimë të detajuara kostot reale të tërmetit? Ne nuk dimë akoma se cili autoritet do të jetë i ngarkuar në menaxhimin e rindërtimit dhe çfarë ndikimi do të ketë në borxhin publik. Për më tepër, profesionistë të fushës ngrenë shqetësimin e dytë se, a do ta mbajnë fjalën donatorët për premtimet e dhëna? Nga eksperienca e shteteve të tjera të prekura nga fatkeqësi të ngjashme natyrore, donatorët NUK e kanë mbajtur fjalën e dhënë. Në rastin e Libisë, Haitit dhe Gazës donatorët me kalimin e kohës dhanë më pak se gjysmën e premtimit të dhënë në konferencë. OXFAM thotë se premtimet e pambajtura janë norma dhe jo përjashtimi në këto raste. 

Ndaj edhe mbetet parësore transparenca e plotë e qeverisë në menaxhimin e pasojave të tërmetit. Ky është hapi i parë dhe i rëndësishëm për të garantuar minimalisht se paratë që janë premtuar do të gjenden në kohën dhe me normat e duhura kur të vijë koha. Por kjo kërkon më shumë se praktikat e deritanishme të prokurimit dhe të tenderimit të shtetit shqiptar. Kjo kërkon një përqëndrim dhe profesionalizëm që shteti shqiptar nuk ka investuar dhe nuk e ofron dot në kohë. Ndaj entuziasmi i parë i garancisë se fondeve duhet rifreskuar me faktin se ekzekutimi i projekteve do të dojë kohë, ekeperiencë dhe kooordinim të paprecedentë për ne. Kjo mbetet për t’u vërtetuar, por ajo që dihet është fakti se borxhi i Shqipërisë do të rritet në vitet që vijnë dhe lehtësia me të cilat u gjetën fondet duhet kombinuar me presion të fortë për “tërmet” të dytë administrativ në Shqipëri. 

Rindërtimi i zonave të prekuara duhet kombinuar me doemos edhe me shkëptuje të praktikave korruptive, abuzuese e mendjeshkurtër të qeverisjes ndaj parave publike. Ne lutemi që qytetarët e Durrësit, Shijakut e Laçit të kenë shtëpi sa më shpejt. Ata e meritojnë këtë rehati pas kësaj katastrofe natyrore. Por po ashtu qytetari i Korçës, Vlorës e Tiranës duhet çliruar më parë nga xinhirët e fortë të burokracisë e korrupsionit shtetëror, përpara se të ngarkohet me borxhet financiare të rindërtimit. Këto të dyja nuk janë të shkëptura nga njëra tjetra, por ecin bashkë paralel drejt një ekonomie të harmonizuar dhe të zhvilluar, diçka që kjo qeveri nuk e ka ofruar dot në shtatë vitet e fundit. 

Cilatdo që të jenë aryset se përse komuniteti ndërkombëtar mbështeti Shqipërinë me 1 miliardë euro financim potencial, një gjë është e sigurt, kjo kosto financiare shtesë në kurrizin e kërrusur të shtetit tonë ose do të na shtrijë në tokë pas disa vitesh ose e menaxhuar mirë dhe koordinuar me masa të tjera të plota pro-biznes do të mbahet mend si kthesa e madhe për ne. Urojmë të zgjidhet me mend e dyta e të mos vazhdohet siç vetem kjo qeveri ka ditur: keq!

Share: