Home KRYESORE Tirana atipike për të huajt!

Tirana atipike për të huajt!

Nga Elona Caslli

Duke marrë shkas nga pohimi yt, Rama, në të cilin përshkruhej qartë dëshira e pakufishme e diplomatëve të huaj për të ardhur në Tiranë, natyrshëm lindin pyetjet;

Nga lind e gjithë kjo dëshirë?! Ç’të ketë Tirana vallë kaq magjike sa të tërheqë 41 aplikime për vendin e ambasadorit të BE-së, ndërkohë që për vendet e BE-së mesatarja e aplikimeve shkon mesatarisht 9 deri në 10?!

Thua vallë, që shqiptarët të jenë kaq të verbuar përballë magjisë së vendit të tyre, sa e braktisin atë çdo çast?!

Çfarë shohin të huajt tek Tirana, që ne nuk e shohim dot?!

Ç’shqisë na është mpirë neve kaq keq, sa nuk arrijmë dot të dallojmë interesanten tek ky kryeqytet?!

Sipas teje, diplomatët e huaj e duan Tiranën, sepse u duket krejt interesante.

Të thuash interesante për një vend, nënkupton, që vendi ka diçka atipike në krahasim me vendet e tjera, që të nxit ta njohësh dhe ta përshkallëzosh qoftë njohjen dhe qoftë qëndrimin në të.

E parë në këtë kontekst Tirana është vërtetë atipike në atë çka ofron.

Është atipike, sepse të zhvesh nga çdo përgjegjësi, pavarësisht pozicionit që ke.

Një diplomat i huaj në Tiranë të ” vërtetat” mund t’i ndajë sipas ditëve të javës.

Të hënën thotë një të “vërtetë”, të martën e zhbën këtë të “vërtetë”, të mërkurën thotë të “vërtetën” e kryeministrit, të enjten thotë të “vërtetën” e opozitës, të premten thotë të “vërtetën” e kryebashkiakut dhe mbyllet java për t’u arratisur në fundjavë.

Në fundjavë, ka vetëm një detyrë. Të njohë Tiranën në thellësitë e saj.
Në thellësinë e Tiranës mund të përmbushë ëndrrat e një imagjinate pa kufij.

Tek e fundit pasaporta diplomatike i rrëzon muret në Tiranën atipike.
E kur nuk ke mure për të rrëzuar, por veçse hapësira për të eksploruar, jeta bëhet më joshëse dhe pesha e saj nuk ndihet hiç.

E nëse ndodh që rrugës për në shtëpi, teksa diplomati i huaj është duke ecur qetësisht, shqiptarët e mërzitshëm dhe të pakorrigjueshëm, i thonë një fjalë për të “vërtetat” e ndryshme, që ka thënë gjatë javës, mjafton që ai t’u nxjerrë gishtin e mesit dhe gjithçka mbyllet.

Shqiptarë janë! Këtë ka dëgjuar të thuhet për ta! Do të bërtasin dy ditë e mandej do të gëlltiten nga halle akoma më të mëdha!

Ndërkohë java do të rifillojë dhe bashkë me të rifillojnë të “vërtetat”.
Diplomatit i duhet përsëri t’i ndajë të “vërtetat” me ditë.
Është pak e bezdisshme, sepse mund të ndryshojë rendi i të “vërtetave” nga java në javë. Nëse e hëna javën e shkuar i përkiste kryeministrit, këtë javë mund t’i përkasë kryebashkiakut.

Do të kish qenë më e lehtë, nëse do të kish pasur një kalendar të përllogaritur, por në një vend si Shqipëria me sipërfaqe të vogël, por me ngjarje të mëdha është e vështirë të bësh një kalendar.

Dhe nga java në javë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, vazhdon ky proces deri në përmbylljen e tij.

Diplomatit i duhet të largohet. Sytë e tij njomen kur e lënë Tiranën. Rehatia e saj do t’i mungojë gjatë.

Post Scriptum- E në emër të kësaj rehatie, vendos që të aplikojë përsëri për një pozicion në Tiranë, sepse ajo çka ndodh në Tiranë, është kudo dhe kurdo atipike.

Share: