Rritjen më të lartë në turistët që vijnë në Shqipëri përmes çarterave e shënoi Izraeli, me 23 mijë pasagjerë, pothuajse dyfishim në raport me 2018-n. Më pas renditen çekët (rritje 19%), dhe ukrainasit (+12%).
Egjipti ka qenë një tjetër destinacion që është rikthyer në modë, pas qetësimit të konflikteve që i larguan për një farë periudhe pushuesit nga e gjithë bota. Në 2019-n, ndonëse në nivele të ulëta rifilluan çarterat drejt Sharm El Sheikut dhe Hurgadas, me një total prej rreth 4 400 pasagjerësh.
Ulen polakët, rriten ndjeshëm izraelitët, zgjerohet gjeografia me ish-vendet sovjetike
Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2019 një numër rekord prej 6.4 milionë të huajsh, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT-it. Rreth 70% e hyrjeve ishin nga pesë shtete: Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Mali i Zi.
Por vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm dhe turizmi i organizuar përmes agjencive të mëdha turistike, të cilat sjellin turistë përmes linjave të dedikuara (çarter), kryesisht gjatë perudhës maj-shtator. Në total, përmes çarterave fluturuan 324 mijë pasagjerë në 2019-n, me një rritje prej 10% me bazë vjetore.
Avionët direkt nga Polonia përbëjnë pjesën më madhe të trafikut të çarterave, teksa turistët polakë ishin të parët që “zbuluan” Shqipërinë rreth 4 vjet më parë. Në 2019-n, nga Polonia në Shqipëri erdhën çartera nga 5 qytete të Polonisë: Katovica, Varshava, Poznani, Wroclaw, Gdańsk. Gjithsej rreth 103 mijë pasagjerë fluturuan në Rinas nga këto destinacione, ku kryesimin e mban Katovica, e ndjekur nga Varshava.
2019-a shënoi një trend rënës për turistët polakë, pas rritjes së fortë të tyre gjatë tre viteve të mëparshme, me tkurrje rreth 11% të fluksit të pasagjerëve. Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, arsyet janë tre.
Së pari ishte falimentimi i një kompanie ajrore polake, e cila siguronte çarterat për të sjellë turistët. Kontratat ishin të parashkruara, çka do të thotë që në sezon ishte e pamundur të bëhej zëvendësimi.
Së dyti, operatorët kanë nënvizuar se Durrësi, ku vendoset shumica, po shtrenjtohet dhe kjo ka bërë që të kërkohen opsione më të lira.
Së treti, dinamika e tregjeve të turizmit ka ndryshuar dhe përveç Turqisë dhe Greqisë që kanë qenë të preferuara dhe me çmime të lira, edhe rikthimi i Egjiptit në skenë ka dhënë efektin e vet. Rritjen më të lartë në turistët që vijnë në Shqipëri përmes çarterave e shënoi Izraeli, me 23 mijë pasagjerë, pothuajse dyfishim në raport me 2018-n. Më pas renditen çekët (rritje 19%), dhe ukrainasit (+12%).
Nga shtetet nordike, ndonëse ka linja direkte në verë, fluksi mbetet i ulët, ku kryesojnë norvegjezët, që shënuan rriten më të fortë me 34% (15 mijë pasagjerë). Nga Suedia, numri i pasagjerëve ra me rreth 5%, (Në 10.5 mijë) ndërsa nga Finlanda rritja ishte rreth 15%, ndonëse duke u nisur nga një bazë e ulët (rreth 3,600).
Krahas ukrainasve, të cilët kanë disa vjet që kanë zbuluar Shqipërinë, -duke u renditur të katërtit pas çekëve, izraelitëve dhe polakëve me rreth 15 mijë pasagjerë, këtë vit gjeografia e ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik u zgjerua me Rusinë, Letoninë, Bjellorusinë, Lituaninë, që kishin çartera me rreth 4-8 mijë pasagjerë secili./Monitor.al/