Kreu i diplomacisë turke, Mevlut Cavusoglu i kërkoi edhe njëherë Shqipërisë të dorëzonte të gjithë gylenistët, që sipas tij strehohen në vendin tonë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Tiranë, Cavusoglu deklaroi se ia kishte kërkuar dorëzimin e tyre jo vetëm Cakajt, por edhe kryeministrit Edi Rama, të cilit po ashtu iu referua si “vëllai im Edi”.
“FETO nuk është kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për vendet ku ndodhet. FETO kontrollohet nga shërbimet sekrete të disa vendeve. Ne dëshirojmë kthimin e tyre në Turqi. I kemi shpjeguar vëllezërve tanë shqiptarë për rrezikun që paraqet kjo organizatë. E kemi paralajmëruar edhe kryeministrin Rama, por edhe Gentin se çfarë kërcënimi paraqet FETO për Shqipërinë”, deklaroi ministri i jashtëm turk, duke kujtuar se Ankaraja është një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, sidomos në fushën e arsimit.
“Bashkëpunimi është rritur edhe më shumë pasi është hapur universiteti i Nju Jorkut nga Universiteti Marif. Presim dhe mbështetjen dhe kontributin e palës shqiptare. Në fushën e arsimit do vazhdojmë të ndihmojmë Shqipërinë”, theksoi Cavusoglu
Ai njoftoi po ashtu se presidenti Erdogan do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh. Cavusoglu deklaroi se Shqipëria ka marrë “disa hapa” për përjashtimin e anëtarëve të FETO-s dhe kërkoi që të “vazhdojë përpara”.
“Nuk ka shifra se sa anëtarë të FETO-s ka në Shqipëri, por ka me qindra. Kemi kërkuar rikthimin e tyre. Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim që të vazhdojë përpara me to. Nuk duam që anëtarët e FETO-s të qëndrojnë në Shqipëri, Ja shpjegova vëllait tim Gentit dhe do t’ia shpjegoj edhe kryeministrit Rama se FETO përbën rrezik për sigurinë kombëtare”, tha ai.
Vizita e Cavusoglu vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria dëboi një mësues turk që kishtë kërkuar azil politik në vendin tonë, një lajm që shkaktoi një skandal të madh diplomatik.
Qeveria shqiptare e ka mohuar, por mediat turke raportojnë se agjencia e inteligjencës turke, MIT, ishte përfshirë në mënyre direkte në ekstradimin e një shtetasi turk që akuzohej për përkrahjen e klerikut turk Fethullah Gulen më 1 janar.
Së bashku me të ishte edhe shoku i tij, Selami Simsek. Ky i fundit, ndodhet në burg, por dyshohet se ka kërkuar azil politik në Shqipëri, duke ndjekur të njëjtën procedurë si miku i tij i deportuar në Turqi.
Mësuesi Harun Celik u arrestua në Shqipëri në korrik të vitit 2019 kur u përpoq të udhëtonte nga Kazakistani në Kanada përmes Tiranës me dokumente false.
Mediat turke e kanë cilësuar dëbimin e Celik si një “operacion të suksesshëm” të kryer nga MIT, por Shqipëria insiston që gjithçka ishte bërë në përputhje me procedurat normale.
Qeveria shqipare gjithashtu ka mohuar që kthimi i detyruar i Celik në Turqi ishte një produkt i marrëdhënies së ngushtë midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. ©lapsi.al