Home KRYESORE “Vendin e fundit në Kushtetuese po ia ruan vetes”, Meta në konferencë...

“Vendin e fundit në Kushtetuese po ia ruan vetes”, Meta në konferencë të jashtëzakonshme: Fakte të reja për Ardian Dvoranin. T’i ndalohet veprimtaria kriminale

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë sot para mediave në një konferencë të jashtëzakonshme për të bërë publike fakte të reja të dala në dritë për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, ndaj të cilit ka depozituar një kallëzim penal duke e akuzuar për aktivitet kriminal.

Meta tha se sot do të depozitohet një shtesë në kallëzimin penal ndaj Dvoranit dhe theksoi se atij duhet t’i ndalohet veprimtaria e organizuar kriminale dukee akuzuar për qëllime mafioze me vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, që vendin e fundit vakant në të, t’ia ruajë vetes.

“Mirë se erdhët në kështjellën e mbrojtjes së Kushtetutës dhe demokracisë! Deklaratë mbi provat e reja që faktojnë veprimtarinë kriminale të të kallëzuarit Ardian Dvorani.

Sot dua t’ju informoj juve dhe gjithë institucionet vendase dhe ndërkombëtare, mbi fakte të reja të dala në dritë mbi veprimtarinë kriminale të të kallëzuarit Ardian Dvorani, gjatë kryesimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019.

Prej sot, do të përgatitet dhe depozitohet një shtesë në kallëzimin penal që kam depozituar në muajin nëntor 2019, për këtë shtetas: jo vetëm për të thelluar hetimin penal ndaj tij për veprat penale që ka konsumuar, dhe pasojat e të cilave po i vuan ende sistemi i drejtësisë për shkak të mosplotësimit të kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sepse të kallëzuarit Ardian Dvorani, duhet ti ndalohet menjëherë ushtrimi i veprimtarisë kriminale përmes shpërdorimit të funksionit publik, me qëllimin e pastër, të nxitur nga presioni politik, për Kapjen e Gjykatës Kushtetuese! Të kallëzuarit Ardian Dvoprani duhet ti ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, që vendin e fundit vakant në të, t’ia ruajë vetes!

Sot, jam këtu para jush, për t’ju treguar sa larg shkon koordinimi mafioz për kapjen e drejtësisë, kur Kryetari i Kuvendit, me shkresën me nr. prot. 3973, datë 8 Nëntor 2019, i drejtohet Kryetarit të KED, duke i kërkuar informacion mbi ecurinë e procesit të emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; dhe kur

I kallëzuari Ardian Dvorani, që lihet ende i lirë të ushtrojë funksion publik, brenda ditës i përgjigjet kërkesës së Kryetarit të Kuvendit, me shkresën me nr. prot. 716/1, datë 8 Nëntor 2019, duke keqinformuar dhe fshehur informacion mbi vullnetin e shprehur dhe të administruar shkresërisht të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave të tij në emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas vakancës së shpallur; dhe në cilësinë e tij personale, pa zhvilluar asnjë mbledhje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësië, pa patur kompetencën ligjore të përgjigjet për çështje të tilla dhe aq më pak të kryejë intepretime të ligjeve dhe të Kushtetutës, konstaton si të jetë vetë organi i emërtesës, zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Nëpërmjet këtij komunikimi shkresor, i kallëzuari Ardian Dvorani, pa asnjë kompetencë të shprehur në Kushtetutë apo ligj, dhe duke mashtruar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, ka shtrembëruar faktet dhe ka abuzuar me detyrën me qëllim që në bashkëpunim me Kuvendin, t`i rrëmbenin Presidentit të Republikës kompetencën për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Presidenti Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Share: