Home KRYESORE COVID-19/ Manastirliu: 2268 mjekë, infermierë e studentë i janë përgjigjur thirrjes

COVID-19/ Manastirliu: 2268 mjekë, infermierë e studentë i janë përgjigjur thirrjes

“Deri në këto momente 2268 mjekë, infermierë, farmacistë, ekspertë të shëndetit publik, studentë të Mjekësisë, i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’ju bashkuar frontit të parë të luftës me COVID-19”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në një komunikim me publikun bërë të ditur se po riorganizohet shërbimi për të shtuar forcat e reja që kanë shprehur vullnetin për të kontribuar.

“Kam një falenderim nga zemra për prof. Dhimitër Krajën, ish shef i Spitalit Infektiv, dr. Sokol Agolli, mjek anestezist reanimator, dr. Mihal Kërci, mjek anestezist reanimator, dr. Roland Xhaxho, mjek anestezist reanimator, të cilët së bashku me inxhinierët mjekësore Pirro Kushi dhe Aziz Toska ju përgjigjën menjëherë thirrjes dhe sot janë duke ofruar shërbimin e tyre të vyer në përballje me koronavirusin e ri”, tha Manastirliu. 

Gjatë komunikimit me publikun Manastirliu ka njoftuar dhe angazhimin e Prof.Ass. Krenar Lilës dhe prof. Arben Gjatës për menaxhimin e punës së shërbimit të anestezi-reanimacionit dhe të burimeve njerëzore. 

“Kam angazhuar dhe caktuar sot doktor Krenar Lilën, mjek reanimator në QSUT, koordinator përgjegjës për organizimin e punës së shërbimit anestezi- reanimacion në të gjithë stukturat spitalore shëndetësore, që do të trajtojnë personat me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19. Si dhe prof. Arben Gjatën koordinator përgjegjës për organizimin dhe administrimin e burimeve njerëzore ekzistuese dhe atyre vullnetare për përballimin e COVID-19”, njoftimi ministrja. 

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ju drejtua qytetarëve më këtë apel:
“Ju lutem, ju lutem, ju lutem. Le të bëhemi të gjithë bashkë pjesë e zgjidhjes. Ndani me stafet mjekësore, çdo informacion në lidhje me lëvizjet apo kontaktet që keni patur. Kjo është thelbësore. Kështu ua lehtësoni punën atyre mijëra epidemiologëve, mjekëve dhe infermierëve që në këto orë janë duke punuar me vetëmohim në shërbimin tuaj”, ka bërë thirrje ministrja Manastirliu.

Në fund të komunikimit me publikun, Manastirliu falenderoi të gjithë ekipet mjekësore të spitalit Infektiv, të spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe të gjithë ekipet mjekësore në terren, farmacistët në strukturat publike dhe jopublike që po shërbejnë për qyteratët, epidemiologët dhe ekspertët e shëndetit publik që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në këto ditë të vështira.

Top Channel

Share: