Shtetet e Bashkuara janë me njerëzit e Kosovës. Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.
Përveç kësaj, ne vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19, përfshirë edhe vonesat e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme si dhe duke penguar rritjen ekonomike.
Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të tokave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe të autostradës midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjelltë.