Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, paralajmëroi se miliona emigrantë do ti drejtohen së shpejti Evropës ndërsa shtoi presionin mbi vendet perëndimore për ti dhënë më shumë ndihmë Turqisë në konfliktin sirian.
Ai tha se shpreson të arrijë një marrëveshje për një armëpushim në Siri, kur të takohet me homologun rus, Vladimir Putin gjatë javës pas luftimeve të ashpra në bastionin e fundit në duart e rebelëve, Idlib. Ai paralajmëroi Evropën se duhet të mbajë peshën e saj në krizën e refugjatëve të shkaktuar nga dhuna në rajon.
“Ose ne do të sigurojmë së bashku që këta njerëz të jetojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre, ose të gjithë të ndajmë peshën e kësaj plage”- tha Erdogan.
Me mijëra emigrantë dhe refugjatë, mes të cilëve afganë, sirianë dhe irakianë janë mbledhur në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë pasi Erdogan tha të premten se Turqia nuk do ti ndalte më ti drejtoheshin Bashkimit Evropian. Ai thotë se numri është shumë i lartë, në qindra e mijëra. Por edhe paralajmëroi se do të ketë akoma më shumë. Shumë shpejt, tha erdogan, do të flasim për miliona.
Përleshjet shpërthyen ndërsa policia greke bllokoi mijëra vetë në kufi gjatë fundjavës, duke përdorur gazin lotsjellës mbi refugjatët që nga ana tjetër u kundërpërgjigjën me gurë. Të dëshpëruar, shumëkush kërkoi trajektore alternative dhe policia portuale greke tha se një fëmijë ka humbur jetën pasi një anije e tejmbushur me njerëz u përmbys pranë brigjeve të Lesbosit.
Athina ndërkohë do të rrisë patrullimet në tokë dhe në det dhe do të pezullojë aplikimet për azil të atyre që kanë hyrë ilegalisht në vend. Shefat e BE ndërkohë do të vizitojnë kufirin grek të martën, në mesin e frikës së një përsëritjeje të fluksit të refugjatëve që helmoi politikën evropiane në vitin 2015.
Top Channel