Home KRYESORE Fobia nga e premtja, datë 13 – Si ka lindur? Nga...

Fobia nga e premtja, datë 13 – Si ka lindur? Nga Gladiola Jorbus

E premte, datë 13. Paragjykuesit, supersticiozët e bestytët nuk preferojnë të udhëtojnë, të blejnë apo të nënshkruajnë e formalizojnë këtë ditë. Sipas të krishterëve, kryqëzimi u zhvillua të premten dhe ngjarje të tjera tërheqëse të besimit të krishterë do të lidhen me ditën e pestë të javës, që nga dëbimi nga Parajsa e deri te Përmbytja universale.

Numri trembëdhjetë, që nga kohërat e lashta, konsiderohej një ogur i keq për disa arsye. Një ndër arsyet më kryesore, ishte fakti që vinte pas dymbëdhjetës (dymbëdhjeta nderohej, duke pasur parasysh prakticitetin dhe cilësitë matematikore). Numri i mallkuar është një bestytni që ka efekte të prekshme rreth nesh. Shumë ndërtesa nuk kanë katin e 13-të, ose më saktë kati është aty, por nuk raportohet në ashensor dhe vazhdon kati i 14-të. E njëjta vlen dhe për dhomat, gjithashtu për rreshtat e vendeve në bordin e disa aeroplanëve. Po përse ekziston parascevedecatriafobia (fobia nga e premtja 13-të)?

Ja disa nga ngjarjet kryesore të njerëzimit që kanë ndodhur pikërisht të premten, më 13.
Në darkën e fundit të Jezusit, trembëdhjetë ishin të ftuarit, me vetë Krishtin; si Kabalaj, ashtu edhe legjendat Nordike rendisin 13 shpirtra të këqij; në Apokalips, kapitulli XIII i përgjigjet antikrishtit dhe bishës; Një legjendë skandinave tregon se në një darkë të perëndive në Valhalla, Loki, fryma e së keqes, ishte mysafiri i trembëdhjetë; kjo u “kristianizua” më vonë duke thënë se Satani (Abaddon) ishte engjëlli i 13-të (Zbulesa). Në Tarot, ky numër i referohet vdekjes.

E Premtja, në botën e krishterë, është konsideruar historikisht një ditë zie, pasi është ajo ditë e javës kur u kryqëzua Jezusi nga Nazareti.

Një shembull tjetër i famshëm është e Premtja, 13 Tetor 1307, kur, nën urdhërat e Felipe IV të Francës, një grup kalorësish templarë, u kap dhe u soll para gjykatës së Inkuizicionit për t’u gjykuar dhe dënuar për krime të pretenduara kundër krishterimit.

Nuk dihet nëse vendimi i mbretit francez ishte për shkak të motivimit fetar, për shkak të thashethemeve që u endën rreth këtij urdhri (për të cilët thuhej se mbronin ose ruanin sekretet intime të Kishës, siç është Graili i Shenjtë), apo ka shumë të ngjarë, për motive ekonomike.

Në atë kohë, kalorësit templarë kishin një pasuri të madhe. Ata ishin huadhënësit dhe kreditorët kryesorë në shumë rajone të Evropës, veçanërisht në Francë. Për më tepër, thuhet se vetë Filipi IV i detyrohej një borxh të madh këtij urdhri dhe për këtë arsye vendosi t’i kapte dhe t’i akuzonte para Selisë së Shenjtë me akuza të ndryshme, duke përfshirë herezinë, sodominë, dhe urinimin a pështyrjen në kryq.

Akuza çoi në arrestimin ose vrasjen e shumicës së anëtarëve të urdhrit të templarëve, gjë që përfundimisht shkaktoi zhdukjen e tyre. Sidoqoftë, disa kalorës arritën të shpëtojnë, duke marrë me vete shumë prej sekreteve të rendit, të panjohura deri më tani, si dhe thesarin e Tempullit.

Të Premten, 13 Dhjetor 1939, në të ashtuquajturën “E Premte e Zezë” u shkaktua një nga zjarret më të konsiderueshme të pyjeve në historinë njerëzore dhe nga më seriozët në Australi. Ai shënoi rreth 71 njerëz të vdekur, rreth 2 milionë ha tokë të djegura, qytete të zhdukura dhe la pas më shumë se 3000 njerëz të pastrehë, 3700 ndërtesa të shkatërruara e të dëmtuara.

Të Premten, 13 Tetor 1972, Fluturimi 517 i Forcës Ajrore Uruguaiane u rrëzua në Ande. Në bord ishin 40 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit, mes të cilëve, anëtarë të ekipit të rugbyt të Old Christians, studentë të kolegjit uruguajan Stella Maris.

Për të mbijetuar, thuhet se ata janë ushqyer me shokët e vdekur(antripofagia). Vetëm 72 ditë më vonë, 16 njerëz u shpëtuan të gjallë: kjo ngjarje njihet gjerësisht si “Mrekullia e Andeve”. Kjo tragjedi ka frymëzuar libra, dokumentarë dhe filma të ndryshëm.

Share: