Ishte artisti i njohur, aktori Neritan Liçaj i cili ka hapur manifestimin e thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta në Bulevard. Ai u shpreh se ky tubim është në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë dhe atdheut, fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri duke ia lënë më pas fjalën një personalitet të së drejtës, profesorit Ledi Bianku.
Ish-gjyqtari shqiptar i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku dha një mesazh për qytetarët e mbledhur në protestën e thirrur nga presidenti Ilir Meta. Ai tha se debati mes mazhorancës dhe presidentit kërkon interpretim kushtetutes, por ngri ku theksoi se pa Gjykatë Kushtetuese, vendi rrezikon të shkojë drejt autoritarizmit.
Pjesë nga mesazhi i Ledi Binakut:
Kur mora ftesën që t’iu drejtohesha sot, pyetja e parë që i bëra vetes ishte se çfarë arsyesh më bënin të vija. Katër arsye m’u dukën të mjaftueshme, e para rëndësia e këtij tubimi, mbrojtja e Kushtetutës. Nuk kam ardhur të vendos se në debatin mes presidentit dhe mazhorancës ka të drejtë njëri ose tjetri, por dua të them se ky debat për Kushtetutën nxjerr një problem tjetër shumë të madh, atë që pa një Gjykatë Kushtetuese të pavarur, Kushtetuta ngelet një letër pa rëndësi.
Arsyeja e dytë, më një vend ku as presidenti nuk ka mundësi që pretendimet t’ia paraqes një organi të pavarur, imagjinoni çfarë mundësish kanë qytetarët e thjeshtë. Ka nga ata që thotë se qëllimi i këtij manifestimi është për pushtet, unë kam ardhur të them që po është për pushtet, por për pushtetin kushtetues. Ky është pushteti më i rëndësishëm mbi një shtet ligjor.
Arsyeja e tretë, çfarë emri i vihet kësaj situate? Nënkryetari i Gjykatës së Strasburgut u shpreh se “Pushteti i pakontrolluar i shumicës që nuk merr parasysh kërkesat e pakicës, rrezikon të bjerë…”.
Në Shqipëri, ka mbi dy vite që aktet e qeverisë dhe Parlamentit nuk kontrollohen nga askush. A mund të themi se kemi shtet të së drejtës në Shqipëri, në këto situata?
Arseja e katërt është pyetja që i bëra vetes. Në këtë situatë absurdi, ku nuk ka gjykata që të kontrollojë ligjin, pyesja veten si do reagojnë bashkëkombasit e mi. Më kujtohej një shprehje e një juristi të shquar “Një popull që fle në demokraci, ka rrezik të zgjohet në diktaturë”.
Vlerat e këtij kombi për liri, demokraci, nuk kanë vdekur. Sot kur ju shoh kuptoj se ka dhe një arsye tjetër që kam ardhur dhe kjo arsye jeni ju, thirrjet tuaja për gjykata që t’iu mbrojnë të drejtën. Unë mund t’iu uroj duke iu thënë “Zoti iu bekoftë”, por kjo është në dorë të Zotit.