Home KRYESORE Koronavirusi rrezikon Shqipërinë por kthimi i shqiptarëve nga Italia vijon

Koronavirusi rrezikon Shqipërinë por kthimi i shqiptarëve nga Italia vijon

Qeveria ka njoftuar ndërprerjen e udhëtimeve me Italinë por ende nuk kanë përfunduar ardhjet e shqiptarëve.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shqipëri ka mbërritur një traget nga Bari që ka sjellë 380 shqiptarë ndërsa një tjetër pritet që të mbërrijë në Durrës. Këto do të jenë lundrimet e fundit nga Italia drejt Shqipërisë. Mësohet se në Bari personave nuk iu është bërë kontroll sa i përket koronavirusit por në pikën kufitare në Portin e Durrësit ata janë intervistuar, i janë marrë numrat e kontaktit dhe janë udhëzuar që të vetëizolohen.

Nga ana tjetër, mësohet se 3 autobusë me shqiptarë janë nisur nga Milano drejt Shqipërisë dhe po shoqërohen nga forca policie në mal të zi deri në pikën tonë kufitare. Sipas itinerarit, autobusi me shtetasit shqiptarë që udhëton nga Milano ka kaluar në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Mal të Zi pa asnjë ndalesë dhe pritet të hyjë në Shqipëri. Ende nuk dihen masat që do të merren për personat që ndodhen në ta duke ditur se Milano është pjesë e rajonit më të prekur në Itali nga koronavirusi.

Kujtojmë se mëngjesin e së martës në portin e Durrësit kanë mbërritur me traget nga Italia 630 udhëtarë. Një pjesë e mirë e 630 udhëtarëve që zbarkuan në port nga dy tragetet e Barit pranonin se vijnë nga Veriu i Italisë.

Hyrja në Shqipëri e personave që vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi duhet të shoqërohet me transparencë të plotë dhe me një karantinim pasi siç është thënë dhe nga ekspertët virusi nuk identifikohet deri në momentin që shfaq simptoma, gjë e cila mund të ndodhë deri në 14 ditë pas infektimit. /Opinion.al

Share: