Kryeministri i vendit Edi Rama ka shpërndarë një video nga aksioni i policisë pas urdhrit të dhënë nga vetë ai për mbylljen e disa ambienteve publike në kuadër të masave për ndalimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.
Rama ka shprehur falenderimin e tij për të gjithë pronarët të cilët kanë kontribuar dhe kanë qenë korrekt për këto masa.
Ndër të tjera kryeministri njofton se lufta dhe masat shtrënguese kundër koroanvirusit do të vijojnë.
“Frikë jo, kujdes po! Mbyllur mbrëmë diskot, klubet e natës, palestrat dhe nga sot edhe mjediset e mbyllura për argëtimin e fëmijëve… Faleminderit të gjithë pronarëve të tyre për mirëkuptimin dhe kontributin konkret në vijën mbrojtëse të luftës masat shtrënguese do të vijonë sipas planit dhe kontributi juaj, i çdo qytetari është esencial për përballimin me sa më pak pasoja të armikut të padukshëm që kërcënon shëndetin tonë e të njerëzve më të dashur rreth nesh. “ shkruan Rama.
Policia menjëherë në zbatim të masave parandaluese për mospërhpajen e koronavirusit të caktuara nga qeveria ka mbyllur prej ditës së djeshme 522 lokale, 29 palestra 65 bilardo, dhe 39 disko, pube dhe lokale me muzikë live.
Po ashtu Policia apelon se kush nuk bindet dhe kundërshton realizimin e masave të paracaktuara do të penalizohet sipas ligjit. Pasditen e djeshme Rama bëri të ditur se do të mbylleshin palestrat, pub-et, lokalet e natës me muzikë live kurse për lokalet e zakonshme dhe restorantet do të kishte riorganizim ku tavolinat do të vendosen në një distancë 2 metra larg nga njëra tjetra.
Top Channel