Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas vlerëson se sipas tij Shqipëria ka shënuar progres të qartë në reforma. Duke iu referuar prezantimit të raporteve të ndërmjetme të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryediplomati gjerman thotë se Berlini do të angazhohet që këtë herë vendimi të jetë “Po” për të dyja vendet aspirante.
“Komisioni Evropian i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsëri një dëftesë të mirë. Të dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat e rëndësishme – para së gjithash në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ne ndajmë vlerësimin pozitiv të Komisionit të BE-së. Për këtë arsye ne do të angazhohemi në rrethin e BE-së për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit me të dy vendet. Negociatat e anëtarësimit janë instrumenti më i mirë për t’u dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbështetjen më të mirë të mundshme dhe për t’u kërkuar atyre progres të mëtejshëm.
Pa një sinjal inkurajues të BE-së, ne do të rrezikonim përparimin e madh të viteve të fundit. Kjo do të dëmtonte interesat e BE-së dhe të Gjermanisë. Ne kemi nevojë për shtete ligjore demokratike, të qëndrueshme dhe efikase në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Mass.
Gjatë samitit të tetorit BE nuk arriti të merrte një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi Franca, Holanda dhe Danimarka shprehën rezerva lidhur me punën e bërë nga institucionet në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar./Lapsi.al