Home I pakategorizuar Njihuni me tre doktorët që kanë lënë familjet për të shërbyer në...

Njihuni me tre doktorët që kanë lënë familjet për të shërbyer në karantinë

Padyshim heronjtë e këtyre ditëve aspak të zakonta dhe të vështira janë ata që vazhdojnë të qëndrojnë në linjën e parë të detyrës dhe i shërbejnë atyre që kanë nevojë.

Doktorët, infermierët, policët, zjarrëfikësit, ushtarakët, gazetarët dhe të tjerët gjenden në spitale apo në terren, ndërkohë që shumica e njerëzve jane izoluar në shtëpi së bashku me familjen.

3 doktorët e vetëm që lejohen të futen në karantinën e ngritur në Spitalin Infektiv dhe që kurojnë të prekurit nga Koronavirusi janë Entela Kolovani, Ergys Ramosaco dhe Nevila Gjermeni.

Heronjtë me bluza të bardha, si pasojë e rregullave të karantinës dhe izolimit për t’u mbrojtur vetë por sidomos për të mbrojtur të tjerët nga shpërndarja e virusit, qëndrojnë larg familjes këto ditë.

Entela dhe Ergysi janë çift dhe kanë një djalë 10-vjeçar Johanin, të cilin nuk e takojnë prej ditësh dhe e kanë çuar të qëndrojë me tezen e tij. Ndërkohë që Nevila Gjermeni, në kohën kur nuk ndodhet në spital pranë të sëmurve nga Covid19-ta, qëndron në hotel, e shkëputur nga dy fëmijët e saj të vegjël dhe familjarët e tjerë.

Doktorët janë aq të kujdesshëm në masat që kanë marrë dhe shmangien e kontaktit fizik me të tjerët, sa dhe rrobat që ndërrohen i mbajnë në makinë.

Vetëm falenderime dhe mirënjohje për heronjtë tanë, ata të cilët sakrifikojnë më tepër se të gjithë kur më se shumti kemi nevojë!/Mapo.al

Share: