Home KRYESORE Rama njofton masa ekstreme, mbyllet edhe qarkullimi i automjeteve private

Rama njofton masa ekstreme, mbyllet edhe qarkullimi i automjeteve private

Kryeministri Rama ka njoftuar marrjen e masave ekstreme për kufizimin e lëvizjes së personave. Në një njoftim në Facebook, Rama shkruan se nga e premtja deri të dielën do të ndalohet qarkullimi edhe i automjeteve private.

Sipas asaj që ka njoftuar kryeministri, nga e premtja në orën 06:00 deri të dielën në mesnatë, në qytetet më të mëdha të vendit do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private.

Tirana dhe Durrësi do të jenë pothuajëse në gjendje karantine pasi perimetri i tyre do të blindohet dhe nuk do të lejohen hyrje dalje.

Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të blindohet perimetri i qarqeve Tiranë-Durrës dhe do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private e atyre të transportit ndërurban, drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit

Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë e Durrës, si dhe transporti ndërurban mes Tiranës e Durrësit

Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë

Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra”, njofton Rama.

Ai shton se “këto masa ekstreme kufizimi të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë”.

Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu se ky grip do të prekë shumë prej nesh por 80% e të prekurve do ta kalojnë atë pa shenja të rënda por ai nënvizon si shumë të rëndësishëm faktin që “na takon të gjithëve të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nesh, sepse po e transmetuam tek ata u kemi “ bërë peshqesh” një hall të madh”. /Opinion.al

Share: