Home KRYESORE Thaçi kundër zgjedhjeve të reja: Propozimi im, krijimi i një qeverie të...

Thaçi kundër zgjedhjeve të reja: Propozimi im, krijimi i një qeverie të re

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do të përpiqet që të shmanget organizimi i zgjedhjeve të reja në Kosovë dhe se ai propozon krijimin e një qeverie të re.

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti nga Parlamenti i Kosovës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philipe Kosnet ka diskutuar me presidentin Thaçi për procedurat për krijimin e qeverisë së re.

Këtë e bëri të ditur në Facebook vetë Thaçi duke shkruar se me ambasadorin Kosnet janë pajtuar që qeveria të krijohet duke u bazuar në respektimin e Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa në një dalje për mediat ditën e sotme ai tha se do të përpiqet që të mos zhvillohen zgjedhje të jashtëzakonshme por që Kosova të ketë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse. Për këtë Thaçi njoftoi se nga dita e hënë do të nis konsultimet me liderët e partive politike.

“Fokusi im do të jetë që në çdo rrethanë të eliminohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve të reja apo shpërbërja e Kuvendit. Propozimi im do të jetë krijimi i qeverisë së re. Pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive politike dhe do t’i dëgjoj opinionet e tyre dhe të prezantoj kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së Kosovës në mënyrë që të mos ketë vakum institucional”, deklaroi presidenti i Kosovës. /Opinion.al

Share: