Home Gjeo-Ekonomia Top Story/ Nga Berisha tek Meta, kush janë politikanë që pushojnë në...

Top Story/ Nga Berisha tek Meta, kush janë politikanë që pushojnë në vilat e Lalzit

Pasanikët që janë banorë sezonalë Lalz, zonë kjo e shndërruar tashmë në oazin e politikanëve të të gjithë krahëve, oligarkëve, dhe sigurisht të fortëve.

Në fshatin turistik Lura, banori më i famshëm sezonal aty është ish-kryeministri Sali Berisha. Vila më madhështore aty është pikërisht kjo që shihni. Aty, strehohet Berisha i cili në fakt kurrë nuk ka pranuar të jetë pronari. Në këto foto, Berisha është fiksuar teksa ecën pikërisht para shëtitores së vilës së familjes. Ai ka deklaruar se vila është e familjes Malltezi, pra, vajzës së tij Argitës e cila është e martuar me Jamarbër Malltezin.

Referuar të dhënave të publikuara nga Open Data për deklarimin e pasurisë, aty pasqyrohen shpenzimet e vajzës së Berishës për vilën në Gjirin e Lalzit. Vetëm për rikonstruksion në një rast Argita ka shpenzuar plot 45 mijë euro.

Megjithatë vila vanitoze, kërkon një shpjegim për burimin e të ardhurave. Në media ka qarkulluar se dhëndëri i Berishës, Jamarbër Malltezi, është aksioner i një kompleksi pallatesh në zonën e 21 dhjetorit, me vlerë 20 milionë euro. Edhe burimi i këtyre parave është sërish i paqartë.

Prej vitit 2010, Berisha ka fqinj në Gjirin e Lalzit aleatin e ngushtë të asaj kohe, ish kreun e LSI Ilir Meta, sot president. Familja Meta, deklaron një kontratë sipërmarrje me kompaninë Lura Shpk për një godinë banimi 2-katëshe 317 metra katrorë në Gjirin e Lalzit.

Ndryshe nga Berisha, në fakt familja Meta thotë se vilën luksoze dhe është blerë me paratë e trashëguara. Për të kuptuar vlerën, mjafton të shohim njoftimin për shitjen e një vile pranë atyre të ish-kryeministrit dhe presidentit. Çmimi shkon plot 5 milionë euro dhe ka pak a shumë të njëjtën madhësi dhe komoditet me to.

Lajmi për grabitjen e vilave të politikanëve në Gjirin e Lalzit bëri mjaft bujë në Korrik të vitit 2015. Njoftimi i policisë zbuloi dy pronarë politikanë që nuk i kanë të pasqyruara vilat në deklaratat e pasurive. Mes vilave të grabitura ishin edhe ato të ish-ministrit Flamur Noka dhe ish-kreut të KQZ, Arben Ristani. Po ashtu, u konfirmua edhe grabitja në vilën e një gazetari të njohur.

Mes pronarëve në Gjirin e Lalzit është edhe kreu i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Mete. Në vitin 2007, ai ka deklaruar blerjen e një trualli prej 500 metrash katrorë, por nuk jepen të dhëna nëse prona është zhvilluar me ndërtim.

Top Channel

Share: