Home Gjeo-Ekonomia Vatikani hap arkivat për ‘Papën e Hitlerit’, roli i tij gjatë Holokaustit

Vatikani hap arkivat për ‘Papën e Hitlerit’, roli i tij gjatë Holokaustit

Dritë e re do të hidhet në një nga periudhat më të diskutueshme të historisë së Vatikanit pasi arkivat e Papa Pius XII, i akuzuar nga kritikët se një simpatizant i nazizmit, do të zbulohen.

Një vit pasi Papa Françesku njoftoi këtë iniciativë, duke thënë “kisha nuk ka frikë nga historia”, do të hapen, fillimisht, dokumentet nga papati i Pius XII, i cili filloi në 1939 në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe përfundoi në 1958. Ato do t’i bëhen publike fillimisht një numri të vogël studiuesish.

Kritikët e Pius XII e kanë akuzuar atë se ka heshtur gjatë Holokaustit, duke mos dënuar kurrë publikisht përndjekjen dhe gjenocidin e hebrenjve dhe të tjerëve. Mbrojtësit e tij thonë se ai inkurajoi në heshtje manastiret dhe institucionet e tjera katolike për të fshehur mijëra hebrenj, dhe se kritika publike e nazistëve do të kishte rrezikuar jetën e priftërinjve dhe murgeshave.

“Hapja e arkivave është vendimtare për historinë bashkëkohore të kishës dhe botës,” tha kardinal José Tolentino Calaça de Mendonça, arkivisti dhe bibliotekari i Vatikanit.

Peshkopi Sergio Pagano, prefekti i Arkivit Apostolik të Vatikanit, tha se studiuesit do të duhet të bëjnë një gjykim historik. Ai shtoi: “E mira [që bëri Pius] ishte aq e madhe sa do t’i zbeh ato pak hije”. Vlerësimi i miliona faqeve në arkiva do të zgjaste disa vjet, tha ai.

Më shumë se 150 vetë kanë aplikuar për të hyrë në arkiva, megjithëse vetëm 60 mund të strehohen në zyra njëherësh. Ndër të parët që do të shikojnë dokumentet do të jenë përfaqësues të komunitetit hebre në Romë, dhe studiues nga Yad Vashem, muzeu i Holokaustit të Izraelit dhe Muzeu Përkujtimor i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.

David Kertzer, një ekspert amerikan për marrëdhëniet midis kishës katolike dhe fashizmit, i cili do të fillojë të ekzaminojë letrat këtë javë, tha se kishte “shenja nervozizmi” në Vatikan për atë që do të dilte nga arkivat. Arkivat e Vatikanit do të siguronin një “sasi të madhe të materialit të freskët nga shumë miliona faqe”, tha ai për The Guardian.

“Një gjë është e qartë, Pius XII kurrë nuk kritikoi publikisht nazistët për vrasjen masive që po kryenin ndaj hebrenjve të Evropës dhe ai e dinte që nga fillimi se vrasje masive po ndodhnin. Klerikë të ndryshëm dhe të tjerë po i bënin presion që ai të fliste, dhe ai nuk pranoi ta bëjë këtë.

Megjithëse ka shumë dëshmi që tregojnë se kisha mbronte hebrenjtë në Romë, kur më shumë se 1.000 u mblodhën më 16 tetor 1943 dhe u mbajtën për dy ditë ngjitur me Vatikanin [para deportimit në kampet e vdekjes], Pius vendosi të mos të protestojë publikisht apo edhe t’i dërgojë një lutje Hitlerit që të mos i dërgojë ata për vdekjet e tyre në Aushvic. Shpresojmë, ajo që ne do të zbulojmë nga këto arkiva është arsyeja pse ai bëri atë që bëri dhe çfarë diskutimesh po ndodhnin pas mureve të Vatikanit”, shtoi studiuesi.

Mary Vincent, profesore e historisë moderne evropiane në Universitetin Sheffield, tha se shumë nga kritikat ndaj Pius Xll i mungonin nuancat. “Ai ishte një njeri i kujdesshëm, i ashpër dhe mjaft i paarritshëm, duke u përpjekur të drejtonte një shteg nëpër rrethana gati të pamundura. Ai kishte pikëpamje të qarta për atë që e shihte si kërcënim të komunizmit Sovjetik dhe pikëpamja e tij për fashizmin italian ishte pak më e butë. Por kategorizimi i tij si i mirë ose i keq nuk është i dobishëm por ka të bëjë me vendimet që ai mori dhe hapësirën që ai kishte për të marrë ato vendime. ”

Pius, emri i lindjes i të cilit ishte Eugenio Pacelli, ishte sekretar i shtetit të Vatikanit nën paraardhësin e tij, Papa Pius XI, dhe një ish-nuncio papal, ose i dërguari, në Gjermani. Në 1933, ai negocioi një konkordat midis kishës katolike dhe Gjermanisë. Pasi u zgjodh Papë, gjashtë muaj para shpërthimit të luftës, Vatikani mbajti marrëdhënie diplomatike me Rajhun e Tretë dhe Papa i ri nuk pranoi të dënojë pushtimin nazist të Polonisë më 1 shtator 1939.

Në Dhjetor 1942, Pius XII foli në terma të përgjithshëm për vuajtjet e Judenjve, megjithëse ai kishte njohur për disa muaj për planet e shfarosjes naziste. Në vitin 1943, ai i shkruajti ipeshkvit të Berlinit, duke argumentuar se kisha nuk mund ta dënonte publikisht Holokaustin nga frika e shkaktimit të “ligësive më të mëdha”.

Papa i Hitlerit, një biografi e diskutueshme e Pius XII nga autori britanik John Cornwell, botuar në 1999, pretendoi se Papa ishte një antisemit i cili “nuk arriti të kishte zemërim moral nga gjendja e rëndë e hebrenjve”. Ai ishte gjithashtu narcissist dhe i vendosur për të mbrojtur dhe avancuar fuqinë e papatit, argumentohet në libër. Pius XII ishte “Papa ideal për planin e papërsëritshëm të Hitlerit. Ai ishte pengu i Hitlerit. Ai ishte Papa i Hitlerit ”.

Pretendimet e Cornwell u kundërshtuan nga disa studiues dhe autorë. Ai më vonë pranoi se Pius XII kishte “aq pak hapësirë ​​veprimi sa është e pamundur të gjykosh motivet e heshtjes së tij gjatë luftës”, megjithëse pontifi nuk e kishte shpjeguar kurrë qëndrimin e tij.

Në vitin 2012, Yad Vashem ndryshoi formulimet në një ekspozitë për papatin e Pius XII, nga “nuk ndërhyri” në “ai nuk protestoi publikisht”. Teksti i ri pranoi vlerësime të ndryshme të pozicionit të Papës dhe Yad Vashem tha se “shikoni [përpara] në ditën kur arkivat e Vatikanit do të jenë të hapura për studiues, në mënyrë që të arrihet një kuptim më i qartë i ngjarjeve”.

Papa Benedikti, paraardhësi i Francis, deklaroi në 2009 se Pius XII kishte jetuar një jetë të një virtyti “heroik” të krishterë, një hap drejt shenjtërimit të mundshëm. Por në vitin 2014, Francis tha që asnjë mrekulli, një parakusht për shenjtërim, hapi i fundit për kanonizim, nuk ishte identifikuar. “Nëse nuk ka mrekulli, nuk mund të shkojë përpara. Mbaron aty.”tha Françesku pasi vizitoi Yad Vashem. Vitin e kaluar, Françesku tha se Pius XII e kishte udhëhequr kishën gjatë një prej “periudhave më të trishtuara dhe të errëta të shekullit të 20-të”. Ai shtoi se ishte i sigurt se “hulumtimi serioz dhe objektiv historik do të lejojë vlerësimin [e Pius] në dritën e duhur,” përfshirë “kritikën e duhur”. / Marrë dhe përkthyer nga The Guardian Observer./Opinion.al

Share: