Home Gjeo-Ekonomia Bota nesër! Nga Ilir Kalemaj

Bota nesër! Nga Ilir Kalemaj

Revolucioni i parë industrial nisi me motorin me avull të James Watt-it në 1764 dhe kulminoi me prodhimin në masë të qymyrit dhe çelikut duke prodhuar dhe pasunarët e parë në botë si për shembull Andrew Carneggie-n, bosin e çelikut dhe milionerin e parë në SHBA. 

Revolucioni i dytë industrial pati si shkëndijë fillestase motorin me djegie të brendshme dhe u shoqërua me lindjen dhe zhvillimin e industrisë së naftës e cila tok me automobilin u bënë bashkë-shoqëruese të modernitetit të ri, por edhe elektricitetit me llambën elektrike të Edisonit. Ndërsa revolucioni i tretë industrial nisi po në SHBA në vitet 30-të të shekullit të kaluar por kulminoi në vitet 60-70 dhe pati si ikona të tij prodhimin e energjisë nukleare, industrinë e plastikës dhe elektronikën. 

Prej vitesh tashmë po flitet përherë e më shumë për revolucionin e katërt industrial që ka si lokomotivë udhëheqëse inteligjencën artificiale dhe internetin e ‘sendeve’ (ang. internet of things) i cili ndërlidh sistemet e sigurisë të shtëpive, vendeve të punës, elektroshtëpiakeve, makinave etj në një mënyrë smart. Teknologjia 5G presupozohet ta çojë këtë në një nivel krejt tjetër, duke mundësuar njëkohësisht një revolucion në mënyrën e ndërlidhjes së shpejtë dhe komunikimit. 

Jo më kot kompania Zoom pati një rritje të aksioneve të saj mbi 500 përqind brenda harkut kohor të dy javëve apo Tik Tok etj, të cilat do revolucionarizojnë mënyrën se si do komunikojmë në të ardhmen e afërt. Por edhe një sfidë po aq të jashtëzakonshme në drejtim të ruajtjes së të dhënave personale, luftës kundër sulmeve dhe spiunimit kibernetik, rreziqeve gjeo-politike etj. E njëjta gjë mund të thuhet me industrinë e nano-teknologjisë dhe bio-teknologjisë apo revolucionit gjenetik që nga njëra anë paraqesin mundësi të papara deri tani dhe një kapërcim epokal, por po kaq edhe rreziqe të forta për të cilat ende nuk ka strategji të mirëfillta për t’u përballur. 

Sfida e Covid-19 është unike përsa i përket shtrirjes globale në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, e paprecedentë në histori por edhe për faktin që është tepër ngjitës. Por statistikisht ka pasur tre pandemi të mëdha çdo shekull dhe disa prej tyre sic e kam theksuar dhe në një shkrim të mëparshëm, kanë sjellë edhe përmbysje perandorish ose rendesh politikë dhe njëkohshëm kanë sjellë revolucione në mënyrën e konceptimit të territorit, konceptimit të higjenës publike, rolit të shtetit e të tjera me radhë. 

Me sfidën aktuale, besoj se vala e revolucionit të katërt digjital dhe që bazohet fund e krye në shoqërinë e informacionit (ndaj disa e kanë quajtur pas-industrial) vetëm do përshpejtohet, gjë e cila nga njëra anë do sjellë sfida të panumërta dhe kriza të forta si ajo e humbjes me shpejtësi ose rikonceptimit të disa prej profesioneve më solide sot, por edhe mundësi të mëdha që do ta bëjnë jetën e njerëzimit më të lehtë falë inovacioneve. Këto të fundit do variojnë nga një aplikim gjithnjë e më i madh i tele-mjekësisë dhe përdorimit të robotikës në të gjitha fushat nga kirurgjia te bankingu, nga hoteleria te ndihma shtëpiake.

Por edhe zhvillime të vrullshme në gjetjen e kurave të reja përmes qelizave staminale, përdorimi në masë i makinave elektrike dhe hibride, ndërgjegjësim më i madh për ndryshimet klimaterike dhe përmisimin e teknologjisë për të mbrojtur mjedisin, më tepër investime në bioteknologji dhe përshpejtim të teknologjisë 5G por duke pasur gjithnjë e më tepër në vëmendje parametrat e sigurisë dhe privacisë, zhvillim të vrullshëm të mësimit në distancë dhe punës në distancë falë përmisimit të parametrave teknologjikë.

Share: