Nga Erion Dasho*
Me më shumë se 1 milion të diagnostikuar (ku numri i personave që kanë kaluar infeksionin është shumë herë më i lartë) dhe mbi 50,000 persona që kanë humbur jetën, pandemia nga COVID-19 vazhdon. Disa vendeve situata u ka dalë nga kontrolli ose ka marrë përmasa në kufijtë e rrezikshmërisë.
Fatmirësisht, në Shqipëri gjendja është akoma nën kontroll. Çfarë mund të pritet apo të shpresohet?
- Me ardhjen e stinës së ngrohtë mund të pritet një ulje e virulencës (akoma nuk ka të dhëna të sigurta se kjo do të ndodhë, por shpresohet).
- Studimet klinike do të arrijnë të prodhojnë vaksina të efektshme ose do të identifikojnë mjekime të cilat arrijnë të veprojnë në state të caktuara të zhvillimit të sëmundjes apo komplikimeve të saj.
- Masat e përgjithshme të distancimit social si në botë dhe Shqipëri do t’ja lënë vendin masave “inteligjente”:
a. testimi i orientuar nga survejanca epidemiologjike
b. kufizimi i lëvizjeve vetëm në zonat ku ka akoma prezencë të rasteve aktive
c. izolim dhe vetëkarantinim i rasteve të dyshuara dhe kontakteve të ngushta
d. kufizim social i personave me moshë mbi 70 vjeç dhe atyre të prekur nga sëmundje kronike
e. kujdes absolut për të shmangur riekspozimin e zonave ku janë eliminuar rastet aktive (zona “të pastruara”). P.sh. dizinfektim i automjeteve që hyjnë në këto zona, ndalim i shkëmbimeve midis zonave ku ka vatra aktive dhe zonave pa raste aktive, etj.
Duke shfrytëzuar të drejtat që të jep vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, mund të aplikohet mbikqyrja elektronike dhe zbatimi i zgjidhjeve digjitale, siç kanë bërë shumë vende, madje edhe vende me demokraci të zhvilluar.
Deri atëherë e vetmja zgjidhje është respektimi 100% i kufizimeve dhe masave të distancimit social dhe, natyrisht, masave të higjienës personale dhe sociale.
*Autori është mjek dhe ekspert i politikave shëndetësore