Home Gjeo-Ekonomia Unë Kurva dhe e Bija e Djallit! Nga Elona Caslli

Unë Kurva dhe e Bija e Djallit! Nga Elona Caslli

Shkrimi im i datës 9 prill 2020, duket se ka provokuar qëndrime të ndryshme në shoqërinë shqiptare. Ka pasur qëndrime pro dhe kundër këtij shkrimi.

Nuk do të trajtoj tipologjinë e qëndrimeve pro shkrimit, por do të përqëndrohem tek qëndrimet kundër këtij të fundit.

Pjesa dërrmuese e qëndrimeve kundër shkrimit, kanë një emërues të përbashkët – Etiketime fyese dhe akuza të pabazuara mbi fakte.

Paraprakisht biem dakord, që qoftë akuza dhe qoftë etiketimi fyes janë mungesë argumenti.

Tek qëndrimet kundër vihet re edhe prirja perverse e disa individëve, që mundohen që kundërshtinë time ta përkthejnë si kundërshti ndaj Islamit.

Në këtë rast individët në fjalë bëjnë porno me argumentin dhe fjalën time.

Elvis Naci dhe Islami janë dy gjëra më vete. Nuk mund të trajtohen si një e vetme.

Nuk e di të them nëse këta njerëz janë mbështetësit e vërtetë të Nacit ose jo, por personalisht unë do të ndihesha shumë e turpëruar, nëse avokatinë do ma bënin njerëz të tillë.

Nuk është aspak rastësi që askush nuk merret me thelbin e kundërshtisë sime; përbërja e videos që shfaq Elvis Naçi në emisionin e tij, ku dinjiteti njerëzor shkelet me dy këmbë.

Këtu na shfaqet argumenti se Elvis Naci duhet ta bëjë këtë, në mënyrë që njerëzit të sensibilizohen për të dhuruar para tek fondacioni që Naçi zotëron, pasi nuk ka mënyrë tjetër.

Deri këtu, jemi në rregull.

Lind pyetja- A mund të jetë ndryshe skenari i videos?!

Sigurisht që po. E para historia mund të rrëfehet në vetë të tretë, nga një gazetar duke u shoqëruar me pamje veçse nga shtëpia ku jetojnë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe rrëfimet e fëmijëve mund të jepen duke ua mbuluar fytyrën këtyre të fundit.

Hamendësoj, që dikush që do të bëjë një donacion tek fondacioni i Elvis Nacit, nuk ka nevojë medoemos të dijë ngjyrën e syve të fëmijës që po ndihmon.

Ka raste, që në nisma të tilla, merren aktorë për të përcjellë historinë tek publiku i gjerë.

Dhe për një nismë të tillë, nuk duhen medoemos aktorë profesionistë, sepse nuk po ngjiten në skenë, por do luajnë një rol brenda një historie.

Studentët e Akademisë së Arteve apo kompanitë teatrore për fëmijë mund ta përmbushin shumë mirë këtë kërkesë.

Dhe në fund të videos të nënvizohet roli që ka pasur çdo fëmijë apo i rritur në video për të përcjellë këtë histori të vërtetë.

Pse ngulmoj tek ky fakt?!

Në emisionin e datës 13 prill, ku trajtohet një familje e varfër, që i dhurojnë një shtëpi, në video veç panairit të zakonshëm të varfërisë, ku çdo pjesëtar i familjes, jo vetëm duhet ta rrëfejë varfërinë, por duhet ta luajë para kameras rolin përkatës prej të varfri, mes shumë dëshmish, kemi dëshminë rrënqethëse të një vajze…..

Vajza e familjes, pohon se shpesh, kur mbledhin hekura bashkë me vëllain apo me motrën, fshihen që të mos i shohin pjesa tjetër e shokëve dhe mundohen t’i mbledhin kur nuk ka shumë njerëz, pasi të nesërmen shokët apo shoqet e shkollës do t’i tallin dhe do t’i tregojnë me gisht.

Me pak fjalë, kjo vajzë në të përditshmen e saj, kërkon të ruajë dinjitetin në mjedisin e saj dhe nuk do ta shpërfaqë vështirësinë ekonomike në publik. Nuk do që ta mëshirojnë të tjerët.

Ndërkohë ne e vendosim përballë një kamere, ku i shquhet çdo tipar dhe atë vështirësi që ajo është munduar ta kalojë me perde të mbyllura, ne ia servirim tanimë një publiku më të gjerë.

A po ndihmohet në të vërtetë ky fëmijë?!

Ç’pasojë lë në personalitetin e vajzës kjo histori?!

Si do të mirëpritet kjo vajzë në mjedisin e saj në shkollë, kur publikisht ka pohuar me zë dhe me figurë, se ditëlindjet nuk i feston kurrë se nuk ka para dhe se në mbrëmje ushqehet vetëm me bukë ujë dhe sheqer?!

Në të vërtetë, ky shkrim nuk duhej të bëhej nga unë, por nga një grup psikologësh që duhet të ngrinin zērin sikundër edhe nga shoqatat që merrem me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Porno me varfërinë duhet të mbarojë, sepse rrezikojmë që në vend që t’i ndihmojmë fëmijët, i gjymtojmë shpirtërisht përgjithmonë.

Varfëria është gjendje që kapërcehet. Gjymtimi shpirtëror që pëson një fëmijë mund të jetë fatal dhe i parikthyeshëm.

Post Scriptum- Firmosur nga

Kurva dhe e Bija e Djallit

Elona Caslli

Share: