Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm për të rifilluar dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Brukseli. Teksa ka vizituar prodhuesit vendorë në Suharekë, Kurti ka thënë të enjten se është në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe se ai është duke përgatitur fillimin e dialogut.
“Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur, i organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës”, -ka deklaruar Kurti. Sa i përket kohës se kur do të mund të rifillojë ky dialog, Kurti ka thënë se kjo gjë është në dorën e Brukselit.
“Pra varet prej Brukselit, kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar, Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, ka thënë Kurti, kur është pyetur se kush do ta udhëheqë dialogun.
Aktualisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar prej kur autoritetet e Kosovës patën vënë 100 për qind taksë në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Qeveria tashmë në detyrë ka hequr këtë masë, duke e zëvendësuar me reciprocitet për mallrat serbe, por jo edhe ato boshnjake. Kjo masë është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.
(BalkanWeb)